Sociale

Italia sot ka më shumë beqarë sesa çifte me fëmijë

Italia sot ka më shumë beqarë sesa çifte me

Nga familja tradicionale në atë të përbërë e deri në familjen me vetëm një person. Në Itali 33.2 për qind e njerëzve jetojnë vetëm. Një përqindje që për herë të parë, në vitin 2021, 'tejkalon' atë të çifteve me fëmijë, të cilët aktualisht përbëjnë 31,2% të familjeve.

Një trend i pandalshëm, që në vitin 2045, sipas Istat në Raportin Vjetor, do të çojë në një tjetër parakalim historik, atë të çifteve pa fëmijë ndaj atyre me fëmijë. Pra Italia do të ketë më shumë çifte që zgjedhin të mos kenë fëmijë, sesa të lindin fëmijë.

Shoqëria italiane ka disa kohë që po ndryshon dhe ndoshta pandemia, martesat e shtyra, planet e anuluara, kanë rritur këtë trend.

Përveç rritjes së theksuar të familjeve me një person, të cilat në fillim të mijëvjeçarit përbënin vetëm 24% të totalit, ka gjithashtu një rritje të familjeve me një prind (pothuajse një në dhjetë familje ).

Popullsia ka vazhduar të bjerë që nga viti 2014 për shkak të rënies së migracionit.

Mosha e vajzave që zgjedhin të bëhen nëna është rritur. Mosha mesatara ka shkuar në 32.2 vjeç, në vitin 2020. Në vitin 2021, numri mesatar i fëmijëve për grua ishte 1.25, po aq sa 20 vjet më parë.

Megjithatë, lindjet jashtë martese u rritën, veçanërisht në vitet e pandemisë: 159,453 në vitin 2021, pra 25,000 më shumë se në 2011 dhe 106,000 më shumë se në 2001. Në terma relativë, në dy vitet e fundit pjesa e të lindurve jashtë martese në totalin e lindjeve u rrit në 35.8% në 2020 dhe 39.9% në 2021, kryesisht kjo për shkak të përgjysmimit të martesave të celebruara ligjërisht.