Lira Gjika ka një këshillë për edukatoret dhe dadot: Mos e përdorni këtë shprehje me fëmijët!
Lira Gjika, e cila shpesh ndan në rrjetet sociale këshilla dhe opinione në lidhje me mirërritjen e fëmijës, ka një këshillë të vlefshme për edukatoret dhe personat që kujdesen për fëmijët në mungesë të prindërve.
Përmes një postimi në Facebook, ajo thotë se sado ta duan fëmijën për të cilën kujdesen, ato nuk e zëvendësojnë dot kurrë nënën, ndaj shprehje të tilla, si, “e kam si fëmijën tim”, për të janë të tepërta, për më tepër, thotë Lira, dëmtojnë gjendjen psikoemocionale të fëmijës.
Postimi i pediatres Lira Gjika:
“Mos u bëj merak, unë e kam si çunin tim”, - i thotë dadoja apo edukatorja nënës të fëmijës, për ta qetesuar dhe siguruar që e mban mirë fëmijën që i është bësuar. Dadoja apo edukatorja vertet mund ta mbajnë mirë fëmijën, por shprehja që ato përdorin nuk e qetëson fëmijën, por përkundrazi e shton pasigurinë që ndjen fëmija kur shkëputet nga nëna. Sado i vogël të jetë fëmija, kur shkëputet nga nëna i rritet shkalla e ankthit. Ai nuk e kupton pse nëna e çon në çerdhe apo kopësht, pra në një vend të huaj për fëmijën? Pse duhet ta mbajë një njeri që nuk e njeh? Këto pikpyetje te fëmija provokojnë gjendje alarmi. sidomos kur shtohen dhe shprehje të tilla të pakujdesshme që mbase nënën e qetësojnë, por fëmijën vetëm e trembin. Fëmija kur dëgjon këtë shprehje, që “e dua si fëmijën tim”, mendon që nëna e tij nuk e do dhe do ta lërë me këtë gruan tjetër. Kini kujdes prindër, të rritur, zgjidhini fjalët jo vetëm për tu qetësuar vetë, por edhe për të mos rritur shkallën e ankthit të fëmijës. Me ankthin nuk bëhet shaka. Lira Gjika