Shëndeti

Mbi 13% e popullsisë në Tiranë e ka kaluar Covid! Imunologu Sulçebe zbulon vaksinën tjetër që ka efekt kundër virusit

Mbi 13% e popullsisë në Tiranë e ka kaluar Covid! Imunologu

Pak javë më parë shkencëtarët dolën në rezultatin se vaksina e tuberkulozit ose ndryshe BCG, ka prova se mund të mbrojë edhe nga infeksione të tjera. Pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka bërë këtë vaksinë. Tani profesori i Imunologjisë, Genc Sulçebe, tregon se të njëjtën efekt po vërtetohet se e ka edhe një vaksinë tjetër, të cilës po ashtu i janë nënshtruar pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe është: vaksina ndaj pneumokokut.

“Edhe vaksina ndaj pneumokokut referohet se mund të ketë efekt mbrojtës për COVID-19. Ashtu si edhe vaksina e gripit, këto vaksina rekomandohen kryesisht në individët e moshuar, kryesisht ata mbi 65 vjeç, që janë dhe më të rrezikuar ndaj COVID-19”, thotë mjeku për gazetën ‘Panorama’.

Kjo vaksinë është përfshirë në programin e vaksinimit në vendin tonë në vitin 2011, çka do të thotë se të lindurit pas kësaj date janë të vaksinuar. Sipas kalendarit të ISHP-së, vaksina që parandalon sëmundje si meningjiti dhe infeksionet e gjakut aplikohet te foshnjat në tri doza, përkatësisht në muajin e 2- të, të 4-t dhe të 10-të.

Pyetje: Së fundmi, mediat në Itali kanë shkruar se një dozë tjetër vaksine kundër tuberkulozit për ata që e kanë kryer këtë vaksinë para 10 vitesh mbron nga COVID-19. A ka ndonjë të vërtet këtu?

Sulçebe: Është e vërtetë që vaksina e tuberkulozit mund të ketë efekt mbrojtës jo specifik për COVID-19 me një mekanizëm që quhet “imunitet i stërvitur”. Ka studime që janë në vazhdim lidhur me këtë, por akoma nuk kemi rezultate të tyre. Edhe vaksina ndaj pneumokokut referohet se mund të ketë efekt mbrojtës për COVID-19. Ashtu si edhe vaksina e gripit, këto vaksina rekomandohen kryesisht në individët e moshuar, kryesisht ata mbi 65 vjeç që janë dhe më të rrezikuar ndaj COVID-19.

Gjithashtu ai bëri publik të dhënat e një studimi të kryer tre muaj më parë mbi pozitivitetin e antitrupave, nga ku rezultuan se 6 deri në 7% e popullatës, ose rreth 12 mijë, persona në Tiranë e kishin kaluar sëmundjen, aktualisht sipas profesor Sulçebe, kjo shifër mund të jetë dyfishuar, pra 13% e popullsisë në Tiranë mund ta ketë kaluar sëmundjen.

Të dhënat tregojnë se vetëm 5% e të infektuarve me COVID-19 kanë nevojë për trajtim spitalor, pasi pjesa më e madhe ose janë simptomatikë, ose ndiqen në banesë nga mjekët e familjes.