Sociale

Mësimet e pandemisë u zbatuan më së miri nga këto qytete, ku sot lëvizet më shumë në këmbë dhe biçikletë

Mësimet e pandemisë u zbatuan më së miri nga këto

Të frymëzuar nga mbyllja e gjatë për shkak të Covid-19, disa prej metropoleve më të mëdha kanë nisur të zbatojnë politika miqësore me mjedisin, duke praktikuar gjithnjë e më shumë rrugët pa makina. BBC sjell shembujt e katër qyteteve të mëdha ku po inkurajohet lëvizja e njerëzve në këmbë apo me mjete paqësore për mjedisin.

Paris, Francë

Edhe para pandemisë, Parisi kishte një qasje për t'u bërë më miqësor me mjedisin. Si pjesë e kësaj përpjekjeje u reduktua qarkullimi i automjeteve, ndërkohë që rrugët përgjatë lumit Seine u kthyen në pedonale në fund të vitit 2016, një lëvizje që u bë e përhershme në 2018.

Në vitin 2020, kryetarja e Bashkisë Anne Hidalgo u rizgjodh pikërisht për shkak të mbështetjes së saj për “qytetin 15-minutësh”, një koncept i ri i planifikimit urban që u lejon banorëve të kryejnë të gjitha detyrat e tyre të përditshme, nga blerjet te shkolla dhe vendet e punës brenda distancës prej 15 minutash në këmbë ose me biçikletë.

Pandemia, e shoqëruar me greva të shumta të transportit publik përpara bllokimit, vetëm sa forcoi popullaritetin e këtyre iniciativave me në qendër njeriun dhe mjedisin.

“Bukuria e lëvizjes me këmbë në Paris është theksuar më shumë që nga Covid,” tha Kathleen Peddicord, themeluese e Live and Invest Overseas.

“Transporti publik ishte i ndaluar për një kohë të gjatë dhe ishte po ashtu e pakëndshme për të mbajtur maska. Kështu që gjithnjë e më shumë njerëz filluan të praktikonin ecjen”, shtoi ajo.

Në qytet janë vendosur gjithashtu edhe korsi shtesë për biçikleta, për të lehtësuar trafikun e makinave. Në fakt, qyteti planifikon të shtojë edhe 180 km korsi biçikletash dhe 180,000 vende parkimi për toa deri në vitin 2026.

“Kam jetuar në Paris për 14 vjet dhe mund të them me siguri se kurrë nuk kam parë një transformim më të madh në mbarë qytetin se ai që ka ndodhur së fundmi për të inkurajuar çiklistët,” tha Sadie Sumner, e cila drejton Fat Tyre Tours.

Edhe rrugët kryesore të qytetit, si Rue de Rivoli në qendër të Parisit janë bërë me një korsi për makinat ndërsa korsitë e tjera janë dedikuar për çiklistët.

Gjatë Lojërave Olimpike 2024 edhe ura midis Kullës Eiffel dhe Trocaderos do të jetë plotësisht pedonale.

Qyteti gjithashtu planifikon të mbjellë 170,000 pemë deri në vitin 2026.

Mësimet e pandemisë u zbatuan më së miri nga këto

Bogota, Kolumbi

Bogota në Kolumbia ka pasur gjithmonë çiklizmin si sport kombëtar, por pandemia përshpejtoi edhe më shumë shumë lëvizjen pa makina. Në vitin 2020, kryebashkiaku Claudia Lopez shtoi dhe 84 km korsi për biçikleta në rrjetin ekzistues prej 550 km, tashmë një nga më të mëdhenjtë në botë.

“Qyteti ka filluar me të vërtetë të zhvillojë një atmosferë të dukshme të Amsterdamit dhe Kopenhagenit gjatë viteve të fundit,” tha Alex Gillard, themeluesi i blogut Nomad Nature Travel i cili jetoi në Bogota gjatë pandemisë. “Ka kaq shumë biçikleta në rrugë në të gjitha orët e ditës, është mjaft frymëzuese,” shtoi ai.

Të dielave dhe në ditët e festave zyrtare makinat ndalohen plotësisht nga rrugët e caktuara në një program të njohur si Ciclovia, duke tërhequr më shumë se 1.5 milionë çiklistë, këmbësorë dhe vrapues çdo javë.

Autobusët e rinj elektrikë të qytetit, të cilët funksionojnë me energji elektrike dhe gaz, kanë përmirësuar gjithashtu sistemin e transportit publik.

Mësimet e pandemisë u zbatuan më së miri nga këto

Milano, Itali

Italia ishte një nga vendet më të goditura fillimisht nga pandemia dhe qytetet e saj duhej të përshtateshin shpejt për të ofruar alternativa ndaj transportit publik me popullsi të dendur. Në verën e vitit 2020, Milano filloi një plan ambicioz për të zgjeruar trotuaret dhe korsitë e biçikletave përgjatë 35 km rrugë të përqendruara më parë në korsitë e makinave.

Ndryshimet e kanë transformuar qytetin, duke krijuar dhe një kulturë të re miqësore me natyrën.”Nuk është Milano që mbaj mend 10 vjet më parë gjatë kohës së universitetit,” thotë Luisa Favaretto, themeluese e faqes Strategistico. “Më pëlqen koncepti i “qytetit 15-minutësh” [një plan që Milano e ka eksploruar gjithashtu] dhe fakti që e gjithë infrastruktura e qytetit po vihet në dispozicion të njerëzve dhe jo makinave,” shprehet ajo.

Sot CityLife nuk është vetëm zona më e madhe e Milanos pa makina, por edhe një nga zonat më të mëdha pa makina në Europë.

“Është i mbushur me hapësira publike të gjelbra, së bashku me mijëra korsi biçikletash dhe ofron një vështrim në të ardhmen e një qyteti të qëndrueshëm,” tha Favaretto.

Edhe lagjja veriore e Isolës është shndërruar nga një zonë industriale ku ndalohen makinat dhe mund të ecësh në këmbë ose me biçikletë e të gjesh plot lokale, galeri dhe dyqane të çdo lloji.

Qytetarët gjithashtu nuk duhet të shqetësohen për gjetjen e një biçiklete për të shijuar korsitë e çiklizmit. Shërbimi publik BikeMI, ka 300 stacione në të gjithë qytetin dhe ofron biçikleta të rregullta dhe elektronike.

Mësimet e pandemisë u zbatuan më së miri nga këto

San Francisco, SHBA

Qyteti verior i Kalifornisë lëvizi shpejt, që gjatë kohës së pandemisë së hershme për të krijuar një program “Slow Streets” për të kufizuar trafikun dhe shpejtësinë e makinave në 30 akse rrugore, për t'i bërë ato më miqësore për këmbësorët dhe çiklistët. Menjëherë nga ky program pati një reduktim prej 50% të lëvizjes së automjeteve, një rritje 17% të këmbësorëve dhe plot 65% ishte rritja e numrit të përdoruesve të biçikletave gjatë ditëve të javës.

Megjithëse shumë prej rrugëve tashmë janë rikthyer në statusin e para pandemisë, katër prej tyre, duke përfshirë ato në Golden Gate Avenue, Lake Street, Sanchez Street dhe Shotëell Street vijojnë të kenë përparësi këmbësorët dhe ciklistët. Ndërsa këtë shtator pritet të votohet edhe për ti kthyer në pedonale disa rrugë të tjera.

San Francisko në dukje një qytet shumë i vështirë për këmbësorët, historia po tregon se po ashtu mund të kthehet në më miqësor me mjedisin. Një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, Embarcadero, përgjatë bregdetit, ishte autostradë derisa një tërmet i vitit 1989 e bëri atë të papërdorshëm për automjetet.

*"BBC" (Përktheu Tiranapost)