Sociale

Ministria e Mjedisit shpall vitin 2024 vitin e pyjeve

Ministria e Mjedisit shpall vitin 2024 vitin e pyjeve

Në 100-vjetorin e Shërbimit Pyjor, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro shpalli vitin 2024 si vitin e pyjeve, gjatë të cilit do të vihet në zbatim një program me në fokus mbarështimin e ekonomive pyjore.

“Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka hartuar planet e mbarështimit për 47 ekonomi pyjore, ndërsa 15 bashki të tjera kanë hartuar vetë planet e mbarështimit për pyjet e kullotat e tyre, por jemi ende larg mbulimit të të gjithë territorit me plane mbarështimi. Prandaj Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka vendosur që të shpallë sot, vtin 2024 vitin e pyjeve. Dhe nga sot nis një kalendar pune me plan veprimi, me një hartë pune që do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2023-2024 në emër të pyjeve”, tha ministrja Kumbaro.

Agjencia Kombëtare e Pyjeve publikoi pak ditë më parë Inventarin Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave, që siguron informacion mbi fondin pyjor kombëtar dhe që do të shërbejë për hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të sektorit pyjor për një periudhë 10-vjeçare.