Sociale

Një ftesë për mësuesit, nxënësit, studentët

Një ftesë për mësuesit, nxënësit, studentët

Në kuadër të projektit Erasmus+, që ka nisur në nëntorin e vitit 2020 mbështetur në formulën MOOC është prodhuar kursi Check&Design. Digital Information Literacy and collaborative learning at school. Kursi (fillimisht në gjuhën anlgeze dhe italiane) prej shtatorit të vitit 2023 është pasuruar me variantet në spanjisht, portugalisht dhe në gjuhën shqipe.

MOOC (Massive Open Online Courses) janë kurse që i ofrohen publikut falas, janë të hapura për të gjithë, i shërbejnë formimit në distancë dhe mundësojnë pjesëmarrje massive nga hapësira gjeografike dhe kulturore të ndryshme. Janë një mundësi e re e jashtëzakonshme për studentët dhe docentët. Në veçanti MOOC-u Check&Design, i cili do të jetë i vlefshëm në platformën e kushtuar EduOpen (https://learn.eduopen.org/) deri në shtatorin e viti 2024 mban firmën e CREMIT (në gjuhën origjinale: Centro di Ricerca sull’Educazione ai Media all’Innovazione e alla Tecnologia) dhe mbështetet nga ILAB.

Cremit – Qendra e Kërkimit për Edukimin Mediatik Inovacionin dhe Teknologjinë – është krijuar si rrjedhojë e natyrshme e një pune të vrullshme, serioze të një grupi pune dhe të një programi kërkimi që është konsoliduar ndër vite, aq sa të kthehet zyrtarisht në qendër kërkimi në Universitetin Katolik Sacro Cuore, Milano. Kjo qendër mbështet shkollat, për formimin e mësuesve dhe të nxënësve, ofron ndërhyrje didaktike dhe edukative në klasa në lidhje me çështjet e edukimit medial dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.

Formula didaktike e kursit:

Check&Design është një kurs online, i hapur për të gjithë dhe falas, i kushtohet temës së Information Literacy (Alfabetizimi për Informacion) dhe është projektuar për të fuqizuar aftësitë e të interesuarve (atyre që do të dëshirojnë të regjistrohen) për të njohur lajmet e rreme (fake news), për të gjurmuar burimet informative dhe për të kuptuar procesin e përhapjes së informacionit: e gjithë kjo do të realizohet përmes punës mbi përmbajtjet në ambientet digjitale. Perkursi, udhëpërshkimi i kursit i drejtohet kategorisë së mësuesve të shkollave të mesme me klasat përkatëse, edukuesve, dhe të gjithë të interesuarve për temën Information Literacy. Ky MOOC është një burimi didaktik i aksesueshëm falas.

Çdo modul përfshin video-leksione, burime tematike, e-tivities (veprimtari për të nxënë online): këto veprimtari janë propozime që mund të përshtaten shumë mirë për përdorimin në klasë, në kushtet e shtëpisë dhe në kontekste të tjera edukative. Kursi gjithashtu ofron materiale digjitale për t’u thelluar në argumenta të ndryshëm; parashikohet një test në përfundim të çdo moduli.

Temat

MOOC vepron duke u mbështetur në kompetencat e leximit, të përzgjedhjes dhe të krijimit të informacionit në kontekstin digjital aktual. Qëllimi i tij kryesor është t’u mundësojë kursantëve refleksionin dhe punën konkrete për temën e lajmeve të rreme (fake news), të gjejnë burimin e informacionit, të kuptojnë procesin e përhapjes së lajmeve dhe të promovojë një përdorim të përgjegjshëm të Internetit. 6 modulet e kursit i pajisin kursantët me burime dhe instrumenta për të vepruar në katër fusha: 1) Refleksion mbi informacionin dhe mbi mënyrat se si digjitalja ndikon në konceptin e informacionit; 2) Kërkim online; 3) Vlerësim i të dhënave, i informacioneve dhe i përmbajtjeve digjitale; 4) Pjesëmarrje dhe veprimtari konkrete në ambientet digjitale në cilësinë e prodhuesve të përmbajtjeve (në rolin e njohur me termin prosumer). Më në detaj, përmes argumentave që do të ofrohen më skadencë javore MOOC-u synon të promovojë dije të thelluar në lidhje me temat e mëposhtme: Media dhe lajme; algoritmi; kërkimi në rrjet; të drejtat e autorit; burimet; pjesëmarrja online.

Materialet e moduleve do të jenë të gjitha online dhe në momentin e hyrjes të regjistruarit në kurs do të kenë mundësi të shohin panoramikën e materialeve, të kqyrin burimet dhe të realizojnë veprimtaritë në mënyrë asinkrone duke grumbulluar gjithsej 25 orë veprimtari formuese. Formula me vëtënxënie u mundëson kursantëve të ndjekin ritmin e tyre të punës dhe të plotësojnë veprimtaritë e propozuara sipas mundësisë dhe kushteve të secilit. Për regjistrimin drejtohuni në lidhjen e mëposhtme:

https://learn.eduopen.org/eduopenv2/course_details.php?courseid=515

Ky kurs, që është mundësuar edhe në gjuhën shqipe falë propozimit dhe bashkëpunimit me kërkuesit e CREMIT është njëkohësisht një burim, një instrument dhe një mundësi konkrete për të gjithë përdoruesit që do të duan ta shfrytëzojnë burimin në gjuhën shqipe. Në kohën kur termi «alfabetizim» nuk i referohet më vetëm mësimit të shkrimit dhe të leximit është themelor edukimi me shumësinë e ligjërimeve që kërkojnë lexim, interpretim dhe prodhim (mundësia për t’u bërë prodhues mesazhesh).

Teknologjitë në vetvete janë njëherazi problem dhe mundësi e madhe. Ndryshimin e bën cilësia e ndërmjetësimit mes teknologjisë dhe përdoruesit. Prandaj ky kurs që u drejtohet mësuesve, studentëve dhe edukuesve në përgjithësi u ofron të gjithëve një mundësi për të plotësuar siç koha e kërkon detyrimin për të përcjellë trashëgiminë kulturore, për të ndërtuar qytetari. Njohja dhe përdorimi i ligjërimeve të ndryshme janë një kompetencë e domosdoshme për ushtrimin e mendimit kritik dhe të qytetarisë aktive.