Nxënësit në Kosovë penalizohen nga greva e mësuesve, mësimi ende s’ka nisur

Ndërsa viti arsimor duhet të niste që në 1 Shtator, në Kosovë ende nxënësit nuk janë ulur në bankat e shkollës për shkak të grevës së arsimtarëve.
Ata kanë paralizuar procesin mësimor me një kërkesë të vetme: mbështetjen financiare prej 100 eurosh në muaj.
Greva ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës ndërkohë që nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimit.
Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të projektligjit për pagat.
Qeveria e Kosovës thotë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të miratohet së shpejti dhe insiston në hapjen e procesit mësimor. Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.