Pas problemeve që hasi në det, Eva Buzo ndërpret sfidën për të ardhur me not nga Brindizi në Vlorë
Ajo është një juriste dhe profesionin e saj e ushtron në Australi, por ka një hobi të veçantë notin. Eva Buzo është padyshim emri më i klikuar në 24 orët e fundit në Shqipëri për shak të një sfide që ajo ka ndërmarrë, për të bërë me not një distancë që askush nuk e ka bërë më parë, nga Brindizi në Vlorë.
Edhe pse 35 vjeçarja shqiptaro-australiane e ndërpreu sot garën e saj për shkak të problemeve që hasi pas mbi 24 orësh not, ajo sërish duartrokitet në rrjet për iniciativën që mori. Eva tanimë ndodhet në gjendje të stabilizuar nën kujdesin e mjekëve, në reanimacionin e Spitalit të Vlorës.
“Aktualisht është në gjendje stabël, është pak e lodhur dhe me pak ethe. Por treguesit janë normalë, tensioni, pulsi dhe treguesit e tjerë të gjendjes së përgjithshme. Erdhi me dridhje nga ftohti dhe lodhja, edhe nga metabolizmi. Duhen rreth 4 orë që të shohim se si do vazhdojë”, tha ndër të tjera sot pas shtrimit të saj në spital mjeku Edmond Breshani, shef i Reminacionit në spitalin e Vlorës.
Buzo ka ndërprerë sfidën e notit vetëm 10 km para se të arrinte në destinacionin e saj, pasi u pickua nga kandili dhe hasi vështirësi edhe në të folur për shkak të kripës së tepërt. Ajo është tërhequr kështu në miljet e fundit ku i duheshin edhe 10 km për të arritur në destinacionin e saj.