Sociale

Pse ndryshuan sjelljet për mbajtjen e maskës

Pse ndryshuan sjelljet për mbajtjen e maskës

Ditët e fundit, si Presidenti i SHBA Donald Trump ashtu dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson janë parë për herë të parë duke mbajtur maska në publik.

Eshtë një kthesë dramatike – Z. Trump më parë tallte të tjerët për veshjen e maskës, dhe la të kuptohet që disa mund të mbanin pajisje të tilla të mbrojtjes personale për të treguar mosmiratimin e tyre ndaj tij, edhe pasi Qendrat e SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve rekomanduan të mbaheshin mbrojtëse të fytyrës.

Ndërkohë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar fillimisht nuk ishte e gatshme të këshillonte publikun e gjerë për të veshur mbulesa për fytyrën, siç vepruan vendet e tjera në Evropë. Ajo vendosi rregulla për të mbuluar fytyrën në transportin publik në qershor, dhe tani thotë se njerëzit në Angli duhet të mbajnë mbulesë të fytyrës në dyqane, ose do të gjobiten.

Nëpër botë, shumë autoritete – përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë – fillimisht sugjeruan që maskat nuk ishin efikase në parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Megjithatë, tani ato po rekomandojnë mbulim të fytyrës në mjedise të mbyllura, dhe shumë qeveri madje i kanë bërë të detyrueshme.

Çfarë ndryshoi – dhe pse?

Numri i qeverive që rekomandojnë mbulim të fytyrës është rritur ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit.

Nga mesi i marsit, rreth 10 vende kishin politika që rekomandonin maska – tani janë më shumë se 130 vende dhe 20 shtete të SHBA, thotë Masks4All, një grup aktivistësh studiues që mbron përdorimin e maskave të bëra vetë, gjatë pandemisë.

Disa studime sugjerojnë gjithashtu se sjelljet e njerëzve kanë ndryshuar.

“Vende që nuk kanë histori të mëparshme të mbajtjes së maskave të fytyrës në publik adoptuan me shpejtësi përdorimin e tyre, si në Itali (83.4%), Shtetet e Bashkuara (65.8%) dhe Spanjë (63.8%)”, thuhet në një raport nga Royal Society – një nga organet kryesore shkencore në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndryshimet duket se vijnë pjesërisht për shkak të një kuptimi më të mirë se si përhapet Covid-19.

Fillimisht, OBSH tha se maska duhet të mbahet vetëm nga punonjësit e mjekësisë, ose nga njerëzit që kishin simptoma si kollitja dhe teshtitja.

Sidoqoftë, në muajt e fundit, ka prova të shtuara se shumë njerëz me virus nuk kanë simptoma – por ende mund të jenë ngjitës – dhe maska mund t’i ndalojë që t’ua transmetojnë atë të tjerëve. OBSH ndryshoi udhëzimet e veta në qershor.

Ndërkohë, ka më shumë ndërgjegjësim se rreziku i transmetimit është më i lartë në hapësirat e brendshme të ajrosura dobët – dhe prova që sugjerojnë se virusi mund të përhapet nga grimca të vogla që qëndrojnë pezull në ajër.

Kjo do të thotë se nëse të gjithë veshin maska, kjo do të “mbrojë kundër mënyrës më të zakonshme të transmetimit – stërklave – dhe deri në një farë mase ndoshta, edhe stërklave të aerosolit”, thotë Kim Lavoie, shefe e mjekësisë së sjelljes në Universitetin e Quebec në departamentin e psikologjisë në Montreal.

Prof Lavoie shton se “ka pasur shumë studime” mbi mbulesat e fytyrës, përfshirë studime vëzhguese të cilat tregojnë se “vendet që mbajnë më shumë maskë duket se kanë shkallë më të ulët infeksioni”.

Për më tepër, një numër shkencëtarësh tani thonë se ekzistojnë “disa prova” që maskat mund të mbrojnë si atë që e mban, ashtu dhe ata përreth.

Ekziston gjithashtu një pranim në rritje që pandemia mund të vazhdojë për një kohë të gjatë – dhe, nëse po, mbulesat e fytyrës mund të shihen si diçka e nevojshme për t’i ndihmuar njerëzit të përshtaten, dhe të zvogëlojnë rreziqet, ndërsa bizneset dhe shkollat rihapen.

“Covid nuk do të shkojë askund – me siguri do të kemi një vaksinë pas disa vitesh, jo muajsh”, thotë Prof Lavoie, e cila ka udhëhequr Studimin iCARE, një studim ndërkombëtar për sjelljet e lidhura me Covid-19. “Pra, të gjitha këto parime duhet të jenë të integruara dhe të adaptohen në jetën e re normale”.

Pse vendet kanë qëndrime kaq të ndryshme?

Edhe pasi politikat qeveritare kanë ndryshuar – ka një hendek të madh në mënyrën se si njerëzit janë të gatshëm të mbajnë maskë.

Rreth 83% e njerëzve në Itali, dhe 59% në SHBA thonë se gjithmonë do të mbanin një maskë për fytyrën jashtë shtëpisë – por vetëm 19% e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar thonë të njëjtën gjë, sipas Covid-19 Behaviour Tracker – një projekt i drejtuar nga Instituti i Inovacionit të Shëndetit Global në Imperial College London me kompaninë e sondazheve YouGov.

“SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë qenë relativisht të ngadalta në përshpejtimin e vendosjes së maskës, ndryshe nga Spanja, Franca dhe Italia”, thotë Sarah P Jones, një studiuese e sjelljes shëndetësore në Imperial College London, dhe një nga krijueset e gjurmuesit.

Ajo thotë se mbajtja e maskave mund të ndryshojë në varësi të asaj se si njerëzit e dobët ndjehen për një sëmundje, nëse besojnë se kostot i tejkalojnë përfitimet dhe se sa maska janë të disponueshme.

Në vendet me rritje të theksuar të mbajtjes së maskave, njerëzit mund të kenë përjetuar “rritje të shpejtë të perceptimit të ashpërsisë dhe prekshmërisë së sëmundjes”, “ndryshime të shpejta të politikave kanë imponuar përdorimin e maskave të fytyrës”, dhe një ndjenjë që “shoh shumë njerëz të tjerë duke e bërë, kështu që nuk duhet të jetë problem i madh të mbash maskë”.

Prof Lavoie u pajtua që vendet që “u goditën shpejt dhe fort”, si Italia, mund të kenë adoptuar më kollaj mbajtjen e maskës.

Dhe në fund, njerëzit në shtetet që përjetuan epideminë e Sars në 2003 ishin më të gatshëm që të fillonin të mbanin maskë. “Në Azinë Lindore ka goxha kujtesë të pandemive respiratore, dhe një vetëdijësim kulturor se maskat janë një ide e mirë”, thotë Jeremy Houard, shkencëtar në Universitetin e San Franciscos dhe një prej themeluesve të Masks4All.

Ndryshe nga ata “nuk ka histori të kohëve të fundit të pandemive respiratore në PErëndim”, dhe shumë institucione perëndimore dhe ndërkombëtare kanë injoruar tërësisht shkencëtarët nga Azia Lindore. / BBC

*Marrë nga Bota.al