Rrëfimi i modeles që u sulmua nga një Pit Bull: Pse vendosa ta ndaj historinë time
Brooklinn Khoury u sulmua nga pitbulli i kushëririt të saj në vitin 2020. Ajo më parë ishte një influencer, kishte një kanal të sajin në You Tube dhe bënte edhe modelen. Ndërsa sot, pas sulmit që ka pësuar, fytyra e saj ka pësuar një transformim për të cilin Brooklinn po kryen operacion pas operacioni për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Ajo ka rrëfyer me detaje historinë e saj, por thotë se nuk e ka humbur aspak besimin, pavarësisht përvojës së trishtë të jetës së saj dhe ka vendosur të mbetet pozitive, me gjithë negativitetin që ka marrë nga shumë prej njerëzve me të cilët është ndeshur në këto dy vite.
Lexo të plotë rrëfimin e saj:
Jam sulmuar nga pitbulli i kushëririt tim më 3 nëntor 2020. Qenin e kushëririt tim e kisha takuar shumë herë në të kaluarën. Kushëriri im e solli në shtëpi kur ai ishte tetë javësh dhe ishte plotësisht i stërvitur, prandaj dhe sulmi ishte tronditës. Ai kurrë më parë nuk kishte shfaqur dhunë ndaj meje, apo ndaj dikujt tjetër.
Unë jam me origjinë nga Kalifornia, por isha duke vizituar kushërinjtë e mi në Arizona kur ndodhi sulmi. Ka shumë gjëra vërtet interesante që kanë ndodhur. Pesëmbëdhjetë minuta më parë shkova në një dyqan dhe vajza që punonte aty më tha: “Dua vetëm që të dish se çfarëdo që të kalosh, do të mbetesh pozitive”. Unë iu përgjigja: “Oh, faleminderit. Kjo do të thotë shumë.”
Ndërsa ecja nëpër dyqan, ajo më pa përsëri dhe vazhdoi të më thoshte se çfarëdo që të kaloja, do të mbetesha pozitive. Nuk e dija që pak minuta më vonë do të sulmohesha dhe jeta ime do të ndryshonte përgjithmonë.
Pasi bleva ushqimet shkova në banesën e kushëririt, sepse do të hanim drekë. Unë kisha një zgavër në buzën time të sipërme dhe isha vërtet e pasigurt për këtë në atë kohë, sepse nëse ke një të metë të vogël, shpesh shoqëria të bën të mendosh se diçka nuk shkon me ty. Isha aq e pasigurt, sa mbaj mend që bëra një foto dhe kisha prerë buzën e sipërme. Pak minuta më vonë, e gjithë buza ime e sipërme ishte zhdukur. Sulmi më bëri vërtet të jem mirënjohëse për atë që kam.
Sulmi i pitbullit që më ndryshoi jetën
Kur ndodhi sulmi, unë isha në kuzhinën e kushëririt tim. Qeni ishte ulur pranë meje, por unë nuk isha pranë tasit të ushqimit të tij. Ndërsa ai ishte ulur, i përkëdhela kokën dhe u ktheva për të parë kushëririn tim. Kur u ktheva përballë tij, ai ishte varur mbi buzën time të sipërme.
Në atë moment hyri instinkti për t'u mbrojtur. Kështu, ia rrëmbeva kokën dhe po e shtyja prapa. Ai kafshoi buzën time të sipërme për 50 deri në 60 sekonda dhe gjithçka që munda të shihja ishin mishrat e dhëmbëve, por nuk bërtita dhe nuk bëra zhurmë të madhe për shkak të tronditjes.
Forca e kafshimit të tij po më tundte kokën, por më në fund e shtyva. Sapo ndodhi kjo, diçka nga goja e tij fluturoi në ajër dhe goditi murin. Nuk e kuptova që më kishte kafshuar buzën e sipërme. Mora frymë thellë dhe m'u duk sikur dikush më kishte hedhur akull në hundë.
Kur kushëriri im më në fund u kthye drejt meje ishte në shok. Ai më thoshte vazhdimisht se do ta padisja kur pashë se çfarë më kishte ndodhur. Nxora telefonin dhe hapa kamerën dhe pashë që më mungonte e gjithë buza e sipërme. Më rridhte shumë gjak dhe e dija që duhej të shkoja në spital sa më shpejt të ishte e mundur.
Më kujtohet se qëndroja mbi lavamanin e banjës, duke parë gjakun që më rridhte nga goja. Pikërisht kur vura duart në lavaman dhe më në fund pashë veten në pasqyrë, fillova të përpunoja vërtet atë që më kishte ndodhur.
Përvoja ime në spital
Spitali ishte 10 minuta me makinë dhe kur mbërritëm atje, një punonjëse më hodhi një leckë në fytyrë dhe më tha të mbulohesha sepse nuk mund të më shikonte. Ndërkohë isha e shqetësuar dhe më ra të fikët, sepse kisha humbur shumë gjak. Fatmirësisht, u përmenda brenda 15 minutash.
M'u desh të prisja nëntë orë që mjekët të më operonin, sepse duhej thirrur një kirurg në spital. Atij iu deshën 6 orë për të më vizituar. Më pas më transferuan në një spital tjetër që ishte 45 minuta larg në ambulancë.
Shoferi i ambulancës më tha: “Ti je njeriu më i qetë që kam pasur sot”. Mendova se s'kishte arsye për panik dhe gjatë asaj kohe, ende nuk kisha ndjerë asnjë dhimbje fizike.
Nuk arrita të takoj prindërit e mi para operacionit tim. Nuk e kisha as idenë më të vogël se si do të dukesha më pas. Infermierja më dha letra për të firmosur dhe pashë se një rrezik i operacionit ishte që unë edhe mund të vdisja.
Vazhdova të mendoja: “Kjo nuk duhet të më ndodhte mua”. Një infermiere madje më shikoi dhe më tha: “Kjo nuk duhet të të kishte ndodhur kurrë” dhe filloi të qante. Kisha nevojë që dikush të më thoshte se do të isha mirë dhe se do ta kaloja. Pastaj anestezisti më pa dhe më tha: “Do të jesh mirë, të premtoj.”
Çfarë ndodhi me pitbullin e kushëririt tim
Fatkeqësisht, pas sulmit, kontrolli i kafshëve nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte qenin e kushëririt tim.
Unë njoh shumë njerëz që kanë pitbull. Ata absolutisht i duan qentë e tyre dhe do të betoheshin se nuk do t'i bënin kurrë asnjë të keqe askujt. Dhe unë kam takuar pitbull të bukur, por kam takuar edhe qenin e kushëririt tim, i cili ishte i mirë, por përfundoi duke më sulmuar.
Pra, për mua, të kesh një pitbull është njëlloj sikur të kesh një armë të mbushur, ku asnjëherë nuk mund ta dish se çfarë do të ndodhë. Kjo është arsyeja pse nuk do ta kisha kurrë një qen të tillë.
Unë sërish kam parë pitbull pas sulmit tim dhe nuk kam pasur frikë prej tyre, por thjesht kam qenë më e vetëdijshme për atë që ata mund të bëjnë. Unë ende i dua vërtet qentë, por në përgjithësi jam më e kujdesshme ndaj tyre.
Unë besoj se secili ka të drejtë të bëjë si të dojë. Gjithçka që mund të bëj është të ndaj historinë time. Është e çuditshme sepse që kur isha fëmijë, babai më paralajmëronte për pitbullët dhe unë nuk dëgjoja. Unë thosha: “Të gjithë qentë janë të mirë”. Vetëm pasi u sulmova kuptova se babai im kishte të drejtë.
Duke e ndarë historinë time në rrjetet sociale
Postimi në lidhje me sulmin tim në internet ka marrë një reagim shumë të madh. Edhe pse nuk kam folur kurrë keq për pitbullët, marr shumë komente me urrejtje. Kam pasur shumë mesazhe në TikTok nga njerëz që më thonë se meritoj të vdes për ndarjen e historisë sime. Por unë nuk do të dëgjoj askënd, nuk më interesojnë mendimet e njerëzve.
Është një betejë e vërtetë psikologjike të dalësh në publik çdo ditë. Njerëzit ndonjëherë më shikojnë dhe më tregojnë me gisht, ose bëjnë pyetje. Por gjithsesi, jam e lumtur të tregoj historinë time.
Fillova të postoja historinë time në Instagram me shpresën se nëse dikush, për fat të keq, po kalonte një situatë të ngjashme, mund të bëhej më mirë. Postimi i rrugëtimit tim më ndihmoi shumë edhe mua, sepse sa më shumë që postoja, aq më shumë njerëzit kanë reaguar dhe kanë shpjeguar se një situatë e ngjashme u ka ndodhur edhe atyre. Ka qenë një mënyrë e mirë për të rritur ndërgjegjësimin.
Puna pas sulmit
Unë kisha modeluar në të kaluarën dhe isha shumë e emocionuar që të vazhdoja ta bëja këtë. Por aktualish, jam në një pozicion të çuditshëm. Nuk kam në të vërtetë një karrierë si modele, sepse jam ende duke kaluar nëpër operacione të shumta. Unë jetoj në Los Anxhelos dhe këtu shumica e njerëzve kujdesen për pamjen.
Kur merrja mundësitë e modelingut, ndonjëherë më pyesnin: “Kur do të rregullohet fytyra jote?” I përgjigjem duke i shpjeguar se aktualisht është në proces rregullimi dhe jam ende në operacione.
Këto lloj bisedash më bëjnë të mendoj se ndoshta nuk mund të jem gati të modeloj në të njëjtin kapacitet që kam bërë më parë. Por mediat sociale janë akoma fantastike për mua. Unë jam mjaft me fat që kam të ardhura duke bërë atë që dua, që është skateboarding. Nuk mund të kisha kërkuar asgjë më të mirë.
Unë ende besoj se gjithçka ndodh për një arsye.
Sulmi im ishte i tmerrshëm, por gjithashtu më ka bërë të përulur. Unë gjithmonë them, përqafo dikë që do sot. Ka kaq shumë njerëz që luftojnë dhe ne nuk mund ta gjykojmë kurrë një libër nga kopertina e tij, sepse nuk e kemi idenë se çfarë mund të kalojë dikush.