Sociale

Shëndeti mendor po vret familjen

Shëndeti mendor po vret familjen

Shtëpia duhet të jetë streha më e sigurt, por jo gjithmonë është kështu.

-Një djalë 62 vjeç në Fier sapo i mori jetën nënës 88 vjeç. E vrau me thikë.

“Djali vuante nga probleme të shëndetit mendor”, thonë mediat.

-Dhjetë ditë më parë, një 39 vjeçare nga Shkodra mori prej dore fëmijët dhe u hodh në lumin Buna me të tre të vegjlit e saj. Thuhet se burri e tradhtonte, po e linte.

“Nëna kishte probleme me shëndetin mendor”, kështu tha një mjek i qytetit për mediat, kështu tha edhe kunati i saj.

-Në 23 shkurt të këtij viti tre fëmijë nga Durrësi vranë dhe groposën në kasollen e lopës babain.

“Në gjyq kishin një pamje të ftohtë, të qetë, madje me nënqeshje. Vajza ishte e mbyllur”, shkruanin mediat.

Në ngjarjen e sotme, djali që vrau nënën është në burg, me akuzën e vrasjes.

Në ngjarjen e Shkodrës, bashkëshorti dhe babai i tre fëmijëve është në burg, me akuzën e shtyrjes drejt vetëvrasjes.

Në ngjarjen e Durrësit, tre fëmijët janë në burg me akuzën e vrasjes, fshehjes së krimit dhe krimit në bashkëpunim.

Të treja familjet janë shkatërruar. Po kush po e vret familjen shqiptare?

Emëruesi i përbashkët i tre ngjarjeve është “shëndeti mendor”. Sigurisht, pasi në kushte normale, asnjë djalë, nënë, fëmijë s`do të ngrinte dorë mbi më të dashurit e vet.

Fajin e ka shëndeti mendor dhe kush ka lexuar jo libër, por edhe dy leksione a shkrime mbi psikologjinë, pa u thelluar, e di mirë një postulat se "depresioni lind në familje". E nëse familja është e sëmurë e nuk kurohet, me gjasë edhe do të vdesë!