Sociale

Si të mendosh si një detektiv?

Si të mendosh si një detektiv?

Filmat, librat dhe serialet me detektivë kanë pushtuar imagjinatën kolektive që prej botimit të “Sherlock Holmes” dhe veçanërisht përgjatë Luftës së Ftohtë, kur agjentët mbanin në kurriz fatet e shteteve dhe të botës. Të qënit detektiv është diçka që çdo njeri e ka imagjinuar në një moment, apo në një tjetër.

Por, çfarë e bën një detektiv të mirë? Një investigim kriminal është kompleks dhe i shumëanshëm dhe që në faqet e para të “Sherlock Holmes” e kuptojmë se aftësia e deduksionit dhe e lidhjes së fakteve të shumta, në dukje të largëta është një talent i veçantë që duhet ta posedojë çdo detektiv. Kjo aftësi është po aq e lindur sa edhe e kultivuar, por më tepër e rëndësishme është aftësia për të marrë vendime të shpejta në kohë të limituara, kur je i përfshirë në situata të tilla, që një njeri i thjeshtë do të dorëzohej i shokuar nga rrethanat apo nga ajo që ka ndodhur.

Detektivët duhet të jenë të ftohtë dhe objektivë dhe ndonëse mund të mos jenë aq “të acartë” saç përshkruhen në romane, më së paku duhet të dinë të largojnë emocionet në momente kritike dhe të ndajnë qartazi jetën private nga puna e tyre. Arma më e rëndëdishme për një njeri që i duhet të bëjë analiza të sakta është pikërisht “ftohtësia” dhe aftësia për t’u distancuar nga ngjarja dhe për ta studiuar sikur të bëhej fjalë për personazhet e një video-loje dhe jo për njerëz të vërtetë, me ndjenja dhe pasione. Çdo lloj emocioni nxit subjektivitetin dhe subjektiviteti largon detektivin nga e vërteta.

Po aq e rëndësishme është edhe mënyra sesi ec, sillesh, flet dhe imazhi që përcjell tek ata që të shohin. Një detektiv (ndryshe nga filmat e “James Bond”) nuk duhet të jetë kurrë i pari që bie në sy në një dhomë për nga eleganca dhe artikujt e shtrenjtë që ka, por nuk duhet të jetë as ai që duket më modesti dhe i shpërfillshmi. Duhet të gjendet balanca mes të qënit “i kamuflueshëm” dhe të pasurit të aftësisë për të rënë në sy atëherë kur u duhet të bëni miq, apo të merrni informacione nga dikush, duke përdorur sharmin.

Tre rregullat që çdo detektiv mëson përgjatë edukimit të tij janë:

1. Kurrë mos hamendëso të vërtetën, por gjeje atë

70% e vrasjeve të kryera nga gratë kanë si viktimë bashkëshortin. Ndonëse është mirë që detektivi ta njohë këtë statistikë, nuk mjafton që ta aplikojë për çdo rast dhe të nxitojë drejt konkluzionit. Çdo gjë duhet kontrolluar dhe çdo skenar (sado i pamundur të duket) duhet marrë parasysh.

2. Kur e gjen përgjigjen, provo të vërtetosh se nuk është e vërtetë

Shpeshherë ne arrijmë tek një “e vërtetë” nga të dhëna që rastësisht na shpien drejt një përfundimi. Për t’u siguruar që teza jonë qëndron duhet të trajtojmë dhe hipotezat më pak të mundshme për të parë nëse mund të ketë diçka që të vërtetën e parë e rrëzon.

3. Dëgjo çdo gjë dhe mbaj shënim çdo detaj

Detajet bëjnë diferencën sidomos në mistere të mëdha. Si detektiv është e rëndësishme që të mos nxitosh “të japësh mend” as të tentosh të pretendosh se di gjithçka, por të përthithësh çdo copëz informacioni që mund të jetë e dobishme.

Këto këshilla, natyrisht, janë të vlefshme edhe për jetën e përditshme për njerëz që jo domosdoshmërisht duan ta bëjnë zbulimin e së vërtetës profesion, por që gjithsesi duan të jenë deduktivë dhe të shohin përtej sipërfaqësores në përditshmërinë e tyre.

Përshtatur në shqip nga “Psyche Aeon”/ tiranapost.al