Sociale

Sot hapen baret dhe restorantet brenda: Nuk ka vetëshërbim dhe rregullat që duhet të zbatosh

Sot hapen baret dhe restorantet brenda: Nuk ka vetëshërbim dhe

Nga sot mund të uleni të konsumoni ushqimin apo pijet në ambientet brendshme të lokaleve dhe restoranteve. Vendimi që u bë publik në fundjavë hyn në fuqi sot më 1 tetor, 7 muaj pasi këto biznese u mbyllën, ndërsa hapja e tyre u lejua në qershor në masa të rrepta sigurie.

Por sipas protokollit të Ministria e Shëndetësisë duhet të zbatojnë disa rregulla:

-Duhet të ketë një korridor të dedikuar për klientët deri në arkë dhe një korridor për daljen nga ambienti në mënyrë që klientët të mos 'përplasen' përballë mes tyre.

-Nuk ka më vetë-shërbim, ndërsa lokalet duhet të shërbejnë me menu elektronike ose të plastifikuara që të dezinfektohen vazhdimisht.

-Duhet garantuar distanca 1.5 metër mes klientit dhe stafit, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë me njëra-tjetrën 2 metra në të gjitha drejtimet.

-Nëse pagesa bëhet në arkë duhet vendosur një xham peçigllazi midis punonjësit dhe klientit.

-Pastrimi, dezinfektimi dhe ajrosja e bareve dhe restoranteve duhet të jetë në mënyrë të përsëritur disa herë në ditë, që nga ambientet deri tek dorezat e dyerve, tavolinat, tabakatë dhe çdo sipërfaqe tjetër.

-Ajrosja e tyre duhet të bëhet në mënyrë natyrale 5 herë në ditë dhe dezinfektim total të paktën 3 herë, në hapje të aktivitetit, gjatë ditës dhe para mbylljes së tij.

-Asnjë personel nuk do të lejohet të punojë më temperaturë 37.5 dhe secili prej tyre është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të infektuar. Për çdo simptome të shfaqur duhet lajmëruar mjeku i familjes ose 127, ndërsa mbajtja e maskave është e detyrueshme për personelin.

Ndërsa për pishinat e mbyllura, protokolli thekson se evidentimi qoftë edhe të një rasti të vetëm në strukturat e tyre do të sjellë mbyllje të aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik.

Ato do të funksionojnë me orar dhe numri i frekuentuesve do të përcaktohet në varësi të hapësirës së biznesit.