Spiropali pas ngjarjes tragjike në Shkodër: Lufta ndaj dhunës në familje duhet të shpallet emergjencë kombëtare
Historia tragjike e nënës dhe tre fëmijëve të saj të mitur nga Shkodra, që mendohet se për t'i shpëtuar dhunës në familje, janë hedhur nga ura e lumit Buna, ka nxitur një reagim të fortë publik. Një prej tyre është edhe ai i Elisa Spiropalit e cila shkruan se çështja e dhunës ndaj grave duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare.
"Thellësisht e tronditur dhe pafundsisht e trishtuar për humbjen e katër jetëve të pafajshme në ujërat e Bunës.
Tre ëngjëjt dhe nëna e tyre kanë humbur jetën në mënyrën më makabre.
Dyshimet janë se dhuna e bashkëshortit dhe babait të familjes i ka çuar drejt vdekjes.
Fenomeni i tmerrshëm i dhunës ndaj grave që plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Lufta ndaj kësaj dhune që merr dhe sakaton jetë grash dhe fëmijësh, duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare. Duhet të zgjohemi të gjithë si njerëz, si shoqëri e si shtet.
Të çohemi të gjithë kundër këtij fenomeni primitiv, sepse secila jetë është e çmuar dhe nuk mund t'i dorëzohet dhunës së verbër.
Organet ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë vigjilentë dhe të pamëshirshëm ndaj çdo sinjali, informacioni, denoncimi apo gjykimi për raste të tilla.
Drita e diellit nuk duhet të jetë privilegj për ata që dritën e jetës ua heqin çdo ditë viktimave të tyre.
Sistemi ynë arsimor, media, politika, të gjithë duhet të bejnë më shumë për të ruajtur dhe lartësuar dinjitetin e grave, dhe jo të lejojnë të trajtohen lehtësisht si njerëz të dorës së dytë me gjuhë diskriminuese e seksiste, që brymos patriarkalizmin e sëmurë që ushqen dhunën.
U prehshin në paqe katër shpirtrat e pafajshëm", shkruan Spiropali.
Çfarë dihet deri tani për historinë tragjike?
Në datën 3 maj, E. A. 31 vjeç denoncoi në Polici largimin pa adresë nga shtëpia të gruas dhe tre fëmijëve të tij.
Dy ditë më vonë, një peshkatar gjeti trupin e pajetë të 9-vjeçares në ujërat e lumit Buna.
Menjëherë një pistë e re hetimi, ajo e dhunës në familje, u hap. E. A u arrestua.
Thuhet se çifti kishte probleme në martesën e tyre. Shkak ishte tradhtia nga ana e tij dhe gjendja e rënduar psikologjike e gruas si pasojë e kësaj. Nuk përjashtohet as dhuna në familje.
Kërkimet vijojnë për të dhe dy fëmijët e tjerë, vajzën 8 vjeçe dhe djalin 3.
Nuk dihet ende fati i tyre, edhe pse dyshimet janë se në dëshpërim për t'i dhënë fund dhunës, e reja ka marrë fëmijët dhe është vetëflijuar bashkë me ta.
Në trupin e pajetë të 9-vjeçares nuk janë gjetur shenja dhune.
Kërkimet vijojnë për fatin e 39-vjeçares dhe 2 fëmijëve të saj.