Tregu ushqimor i Farkës,Veliaj: Të gjithë do mund të blejmë produkte direkt nga ferma

Tregu i madh ushqimor i Farkës ku të gjithë fermerët e fshatrave të Tiranës do të mund të shesin vetë produktet e tyre në qendrën më të madhe tregtare është drejt fundit të fazës së parë të punimeve. I gjithë tregu do të jetë publik, pra pa asnjë kosto për tregtarët e vegjël të cilët prej kohësh vuajnë për ambiente ku mund të shesin vetë në një kohë kur cmimet me të cilat tregtarët e mëdhenj ua blejnë produktet nuk mbulojnë dot as kostot e prodhimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë Frida Krifca dhe ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, kanë inspektuar ditën e sotme punimet në këtë kantier, të shtrirë në një sipërfaqe prej 5 ha që do shërbejë edhe si një treg i hapur pakice por dhe si një treg i madh shumice i pajisur me mjete frigoriferike dhe ambiente që ruajnë cilësinë e produkteve.
Veliaj tha se kjo i jep zgjidhje situatës monopol në tregun ushqimor dhe të gjithë tregtarët e zonave përreth Tiranës do të mund të shesin produktet e tyre me çmimet që i përcaktojnë vetë ndërkohë që dhe konsumatorët i blejnë me një çmim më të lirë dhe cilësi më të mirë. “Për një kohë shumë të gjatë, madje më shumë seç duhet, kemi pasur një monopol në tregun e shumicës, ku fitimin më të madh nuk e kishte as prodhuesi, as konsumatori e kishte ndërmjetësi, pra ai që kishte tregun në Kashar dhe si ndërmjetës fitonte pa bërë ndonjë punë të madhe. Ndërkohë ne duam që të fitojë fermeri, duke ia bërë thuajse të papërfillshme tarifën e hyrjes në treg, pra pa ia “matur kokën me spango”, siç thuhet në zhargon dhe nga ana tjetër të fitojë konsumatori që do të ketë një çmim më të ulët. Kështu, e gjithë ajo pjesa e ndërmjetësit, që faturonte çdo arkë dhe çdo kilogram që hynte tek tregu i shumicës, zhduket,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se tregu, një investim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë do të jetë i hapur çdo fundjavë për të gjithë qytetarët që duan të bëjnë furnizimet e javës. “Bashkia i ka mundësitë e veta me Ministrinë që të bëjë, jo vetëm investimin, por edhe menaxhimin me kosto minimale që ne të kemi mundësi që të kemi edhe treg shumice edhe treg pakice. Tek platformat e mëdha do të jetë tregu i shumicës, ndërkohë pjesa në qendër, - sipas modelit që kemi parë edhe në Verona dhe në Bologna, - do funksionojë si treg pakice, apo ai që do quhet tregu fshatar i cili do jetë i hapur kryesisht në fundjavë. Secili vjen, parkon makinën, furnizohet për familjen e vet për javën, ndërsa dikush që ka një restorant, ose një biznes familjar ka mundësi t’i kryejë të dy shërbimet si shumicë, si pakicë,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Ai tha se kjo do jetë një zgjidhje për të gjithë luginën e Erzenit, “duke filluar nga Krraba, Petrela, zona e Farkës me gjithë fshatrat përreth, me Ibën, Mulletin, me Lundrën, duke vazhduar pastaj në drejtim të Baldushkut, Vaqarrit dhe të Ndroqit, praktikisht i gjithë ky damar pjellor dhe produktiv i njerëzve që strapacohen përditë duke punuar, të shkojnë pastaj në anën tjetër tek privati, - nuk ka sens! Mjafton të shikosh vetëm kodrën që ne kemi në sfond, për të kuptuar sa njerëz ka që punojnë dhe sa të përkushtuar janë.”
Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se ky treg do të jetë një shembull dhe një pikë takimi e fermerëve, përpunuesve dhe tregtarëve me konsumatorin. “Është shumë e rëndësishme sidomos në periudhën që kalojmë me këtë krizë të çmimeve që fermerëve t’iu ofrojmë të gjitha hapësirat ku ata t’i shesin produktet e tyre me çmime më të ulëta, që edhe konsumatori final të ketë çmime më të ulëta. Njëkohësisht është e rëndësishme që të sigurojmë dhe të garantojmë sigurinë ushqimore për fermerët tanë. Ndaj jam shumë e lumtur që ky treg do të jetë një shembull dhe një pikë takimi e fermerëve, e përpunuesve, e agropërpunuesve, e tregtarëve, por edhe e njësive të ekstensionit në fakt të gjithë aktorëve që shesin inputet bujqësore, të atyre që këshillojnë sesi duhen përdorur këto inpute bujqësore, në mënyrë që nëpërmjet këtij bashkëveprimi, ne të kemi mundësinë të kemi në finale, jo vetëm produkte më të lira dhe konkurruese, të kemi më shumë prodhim, siç e kërkon koha e sotme, por të kemi edhe një garanci ushqimore për konsumatorët tanë,” tha Krifca.
Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler evidentoi faktin e krizës ushqimore mbarëbotërore duke thënë se tregje të tilla ndihmojnë për zgjidhjen e sfidave të tilla. “Tregjet në të gjithë botën janë një sfidë, pasi ne humbim një sasi të madhe ushqimi përgjatë zinxhirit. Ne duhet të zgjidhim sigurinë ushqimore, pasi është kritike gjatë këtyre ditëve, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Është një sfidë e madhe, kështu që kjo është një punë shumë e mirë,” deklaroi ambasadori Noah Gal Gendler.
Veprimtaria e tregut bujqësor do të fokusohet kryesisht në ndërlidhjen midis fermerëve, prodhuesve dhe blerësve fundorë; grumbullimin e produkteve të fermerëve individualë dhe sigurimin e mjeteve dhe metodave të përshtatshme për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre si një njësi e vetme, duke mundësuar kështu shitjen e produkteve në volume të mëdha; garantimin e çmimeve të drejta dhe të njëtrajtshme për produktet bujqësore të fermerëve; sigurimin e një oferte të qëndrueshme për produkte bujqësore vendase për blerësit e mëdhenj, etj..