Sociale

Vdekja e 20-vjeçares italiane dhe burrat që nuk duam

Vdekja e 20-vjeçares italiane dhe burrat që nuk duam

Një vajzë 20-vjeç vdiq tre ditë më parë në Itali pasi ra nga skuteri në të cilin ishte me të dashurin e saj. Incidenti ndodhi në Caivano, në provincën e Napolit. Motori i tyre po ndiqej nga vëllai i saj dhe hetuesit thonë se ishte ai shkaktari i aksidentit fatal të motrës së tij.

Vëllai i saj, Michele Gaglione, 30 vjeç, po ndiqte Maria Paola-n dhe Ciro Migliore, të cilët ishin të dashuruar prej 3 vitesh. Ai i ndoqi ata për rreth njëzet minuta, duke i kërcënuar: Do t`ju vras e duke shkelmuar skuterin e tyre. Maria Paola u hodh prej skuterit dhe goditja që mori në kokë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Michele, vëllai i saj nuk i dha të motrës as ndihmën e parë. Pasi e pa të rrëzuar dhe i dashuri ndaloi, iu sul atij për ta rrahur.

Aktualisht Michelle, vëllai i Maria Paolës është në burg, me akuzën e vrasjes së paqëllimshme, me rrethanën rënduese të veprimit për arsye të kota. Arsyeja përse Michelle ishte kundër lidhjes së motrës është se i dashuri i saj Ciro është transgjinor, pra i lindur biologjik grua, por me identitet mashkullor.

Vrasja po trajtohet nga shoqata të ndryshme si një krim ku një burrë po përpiqej të vendoste për jetën e një gruaje, që në këtë rast ishte motra e tij. Shumë pyetje po shtrohen: A do të kishte reaguar po njësoj Michelle, nëse Maria Paola do ishte djalë dhe do zgjidhte të qëndronte me një transgjinore?

Ky nuk është rast i izoluar. Kunata dhe ish-kunata vriten në Shqipëri nga ish-kunetër, gra vriten nga ish-burra, vjehrrat nga ish-dhëndri, vajzat nga babai. Çfarë janë këta burra? E sigurt është vetëm që nuk janë ata që duam.

*Burimi Cosmopolitan