Sociale

Veliaj shërben drekën e Krishtlindjes në qendrën sociale: Tirana, qyteti më solidar

Veliaj shërben drekën e Krishtlindjes në qendrën sociale:

“Kur jemi bashkë, vështirësitë kalohen më lehtë, kurse gëzimet bëhen më të mëdha”, ishin fjalët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në drekën e shtruar në Qendrën Sociale Multidisiplinare me rastin e festës së Krishtlindjes.

Veliaj dhe stafi i Bashkisë shërbyen drekën për njerëzit në nevojë, frekuentues të qendrës. “Këto vite na mësuan se jeta na përplas, na hedh në një cep - nuk e donim as pandeminë, as tërmetin dhe shkatërrimin që solli, as shumë prej vështirësive që mund të kenë familjet tona - por, unë besoj se ky qytet, me 1 milionë vetë, padyshim që ka edhe shumë pasuri, njerëz që kanë bërë hajër, po sigurisht që ka edhe shumë solidaritet. Ne që jemi këtu e njohim komunitetin e qendrave sociale, kryetari i bashkisë i njeh të 9 qendrat sociale, por nuk njeh çdo njeri, në çdo pallat, në çdo rrugicë, prandaj thirrja ime për ata që i kanë mundësitë në këtë Krishtlindje dhe Vit të Ri, për ata që në këtë periudhë festash kanë më shumë ushqim seç u duhet, më shumë rroba seç u duhen, më shumë lodra seç u duhen, të bëjnë diçka për komunitetin ku jetojnë. Nëse unë nuk i di të gjitha hallet, jam i sigurt se secili në pallatin e tij e di kush është nevojtar në atë pallat, e di kush është me aftësi ndryshe në atë rrugicë, e di kush ka pasur një dhunë në familje, kush ka humbur një të afërm, një të moshuar të vetmuar me fëmijët në emigracion - për të gjithë këta kam një ftesë: ndihmoni dikë që ka nevojë në komunitet”, tha kryebashkiaku.

Duke i uruar të gjithëve Gëzuar Krishtlindjen, shëndet e mbarësi, Veliaj tha se kohët e vështira kalohen më kollaj kur jemi bashkë. “Ne jemi mirënjohës jo vetëm kur vjen Krishtlindja dhe Viti i Ri, por çdo ditë, sepse një pjesë e madhe e stafit të bashkisë, përveçse shërben në mensë, punon me fëmijët në situatë rruge, punon me familjet që po kalojnë një vështirësi, me ata që janë me ndihmë ekonomike, me personat me aftësi ndryshe. Faleminderit për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm sepse jeni fytyra njerëzore e Bashkisë së Tiranës, bashkia jo vetëm më e madhe, por edhe më solidare në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Kush i shërben qytetit, qoftë punonjës policie, infermier apo ushtarak, pra në frontet e para të shërbimit, janë jo vetëm të nderuar e të respektuar, por përveçse se menaxhojnë hallet edhe familjet e tyre, janë këtu që të na mbështesin edhe të gjithë ne”, tha ai.

Veliaj e mbylli fjalën me një urim që vështirësitë si pandemia, tërmeti apo lufta në Ukrainë, të jenë vetëm e shkuara.