Sociale

Vetëvlerësimi tek adoleshentët

Vetëvlerësimi tek adoleshentët

Nga Vasjana Bardhushi/ Gjatë punës së përditëshme me adoleshentët, konstatoj shpesh që shumica e adoleshentëve kanë simptoma të stresit dhe ankthit. Tek pjesa më e madhe e tyre vihet re gjithashtu që kanë shumë probleme me vetvlerësimin. Ka gjithashtu një lidhje shumë të fortë mes vetvlerësimit dhe vetbesimit. Adoleshentët që vlerësojnë veten, kanë edhe besimin në vetvete, për të guxuar në aktivitete të shëndetshme për ta, për të nxënë më shumë material të ri dhe për të përfituar pozitivisht nga eksperienca të ndryshme të jetës së tyre. Kështu ne arrijmë të kemi adoleshentë me shëndet psikologjik të mirë dhe të aftë për të qënë produktiv për veten, familjen dhe shoqërinë.

Por, çfarë do të kuptojmë me vetvëlerësim? Me vetvlerësim ne kuptojmë të ndjerit mirë me veten. Personat me vetvlerësim , ndihen të pëlqyer dhe të pranuar, janë krenarë për atë që janë dhe kanë besim në veten e tyre. Personat me vetvlerësim të ulët, ndihen keq për veten e tyre, janë të vështirë me veten e tyre dhe mendojnë se nuk janë mjaftueshëm të mirë.

Por, nga kush ndikohet vetëvlerësimi jonë? Nga pindërit, mësuesit dhe shoqëria. Ata ndikojnë direkt në jetën tonë dhe mund të ndikojnë në mënyrën se si ne ndihemi me veten. Nëse tek ne verëjnë më shumë anët positive, janë të duruar kur bëjmë gabime dhe ne jemi të pranuar në shoqëri, do të ndihemi mirë me vete, do pranojmë veten si jemi dhe do ndjejmë që të tjerët na pëlqejnë. Por nëse na shajnë më shumë se sa na lavdërojnë, na flasin ashpër, do të ndihemi keq. Gjithashtu bullizmi ndikon shumë negativisht në vetvlerësim.

Por, si të veprojmë për të përmirësuar vetëvlerësimin?

Zëri në kokën tonë - Një ndikim të madh kanë mendimet tona, fjalët që ne (në mënyrë të vetëdijshme ose të pa vetëdijshme) i themi vetes sonë. Mendime si: “jam thjesht një dështak”; “nuk jam fare i/e bukur”; “nuk kam asnjë vlerë”; apo “ nuk mund të bëj kurrë shok” sigurisht që do ta “vrisnin” vetvlerësimin tonë. Por pikërisht ky është edhe celsi i zgjidhjes.

Vetëvlerësimi tek adoleshentët

Gjithmonë mund të bësh dicka për të përmirësuar/rritur vetvlerësimin. Asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh. Vetvlerësimi i mirë është celësi për tu ndjerë psikologjikisht të qetë dhe të aftë për të përballuar eksperiencat e ndryshme që sjell jeta.

Ja disa këshilla se si mund të rritim vetëvlerësimin tone!

1. Qëndro me njerëz që ju trajtojnë mirë, sikur edhe pak të jenë. Qendro me ata që të bëjnë të ndihesh mirë, me sjelljen dhe fjalët e tyre. Me ata miq të cilët të lejojnë të jesh vetvetja dhe i lirshëm. Gjithashtu edhe ti j’i ky lloj miku për të tjerët.

2. Thuaji vetes gjera që të ndihmojnë. Bëhu ti drejtuesi i zërit të mendjes tënde. Mos u bëj shumë kritikues dhe i ashpër me veten. Identifikoji dhe pranoji mendimet negative, pse jo ti shkruash në një letër sa herë të vijnë nëpër mend. Më pas mund të ndërhysh pozitivisht në sejcilën prej tyre, për ti “zëvendësuar” me mendime pozitive, duke i rishkruar përsëri. Keto mendime të riformuara thuaja shpesh vetes tënde.

3. Prano që nuk je perfekt. Nëse kërkon prefeksion tek vetja, sigurisht që në një moment do të dështosh dhe do të ndihesh shumë keq. Prano cfarë është e mirë tek ty dhe kërko ndihmë kur dicka nuk mund të arrish ta realizosh i/e vetëm/e. Të pranosh limitet e tua është fitore dhe qetësuese.

4. Vendos synime dhe puno për to. Vendos synime të realizueshme vetes, bazuar në aftësitë e tua dhe mundësive që të jep mjedisi ku jeton. Planifiko dhe qëndroi strikt atij plani. Për cdo arritje tënden, sado e vogël të jetë, ndihu krenar. Gjithashtu edhe nëse dicka shkon keq përpiqu “t’i flasësh vetes” që kjo nuk është fundi i botës.

5. Fokusou në ato gjera që shkojnë mirë. Është shumë e lehtë të fokusohesh tek gjerat që shkojnë keq. Por mund t’a edukosh veten që të fokusohesh ose kompesosh dështimet me sukseset e tua. Jo gjithmonë cdo gjë shkon si duam ne. Edhe me këtë të fundit duhet të edukohemi, por jo të na demotivojë për të provuar përsëri.

6. Jep dhe ndihmo. Dhënia eshtë një nga mënyrat më të mira për të ndërtuar vetvlerësimin. Ndihmo dhe jep, në familje, shkollë e shoqëri. Të qënit i drejtë dhe i këndshëm zhndëroje në një zakon tëndin. Edhe vepra më e vogël pozitive ndaj të tjerëve, do të bëjë të ndihesh krenar. Kjo sigurisht që do të ndërtojë fort vetvlerësimin tënd.

Asnjëherë mos u dorëzo!

Ti je special, mund të bësh më të mirën që mundesh!

Kur rrëzohesh, ti mund të ringrihesh prapë, edhe më i fortë!

tiranapost.al