SPORT

Aguero në vitin e fundit të kontratës, e ardhmja vendoset muajt e ardhshëm

Aguero në vitin e fundit të kontratës, e ardhmja vendoset muajt e

Sergio Aguero po luan sezonin e tij të 10 me fanellën e Manchester City-t, që njëkohësisht mund të jetë edhe i fundit, pasi kontrata e sulmuesit 32-vjeçar argjentinas me “citizens” skadon më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Deri tani Aguero nuk ka marrë asnjë ofertë për rinovimin e saj nga ana e drejtuesve të Manchester City-t, ndërsa menaxheri i argjentinasit pranoi se momentalisht sulmuesi është i përqendruar në fushën e lojës dhe se në muajt e ardhshëm do të vendoset për të ardhmen.

“Momentalisht unë jam me pushime dhe nuk kam nisur bisedimet me asnjë klub. Aguero sapo është kthyer nga dëmtimi dhe është i përqendruar të rikthehet në formën më të mirë, ndërsa të ardhmen e tij do ta vendosim në muajt e ardhshëm. Paraprakisht kam marrë sinjale nga Man. City, por edhe klube të tjera në Angli e Europë, megjithatë shumë shpejt do të nisim edhe bisedimet konkrete”, u shpreh menaxheri i Agueros.

Duke qenë se bëhet fjalë për një sulmues me mjaft eksperiencë dhe për më tepër që mund të transferohet me parametra zero, në gjurmën e Agueros janë vënë klube të shumta europiane, me Interin e Juventusin në Itali, por edhe PSG-në që janë gati të “rrëmbejnë” argjentinasin.