SPORT

Arsenal-Manchester City, përplasje “big”-ësh në Wembley për finalen

Arsenal-Manchester City, përplasje “big”-ësh në
Arsenali dhe Manchester City do të përplasen në Wembley, në orën 20:45, për të përcaktuar finalistin e parë të FA Cup për edicionin 2019-2020.  Një sfidë “big”-ësh që nuk vlen thjesht për një trofe, pasi për “topçinjtë” është dritarja e vetme për të marrë pjesë në Europa League sezonin e ardhshëm, pasi nëpërmjet kampionatit ky objektiv i mbetur është i vështirë për t’u arritur.

Ka një shkallë familjariteti mes dy klubeve, me trajnerin e londinezëve, Mikel Arteta, që ka punuar si ndihmës i Pep Guardiolës për tre vjet para se të bënte transferimin në “Emirate Stadium”, më herët, këtë vit.

Në përplasjen e fundit mes tyre në Premier League, menjëherë pas pauzës prej COVID-19, City triumfoi 3-0 në “Etihad”, muajin e kaluar.

Arsenali po luan në gjysmëfinalen e të 30-të në histori në FA Cup. Asnjë skuadër angleze nuk është kualifikuar më shpesh deri në këtë fazë të kompeticionit. “Topçinjtë” kanë arritur në finale në 20 edicione, aq herë sa Manchester United.

Vlen të përmendet fakti që Arsenali ka humbur shtatë takimet e fundit me Manchester City-t në të gjitha garat, me një golaverazh të përgjithshëm 2\20.

Humbja e fundit e Manchester City-t kundër Arsenalit në të gjitha garat ishte në një gjysmëfinale të FA Cup në vitin 2017. Arsenali e fitoi trofenë duke mposhtur Chelsea-n në finale.

Kjo është përballja e pestë në historinë e FA Cup mes Man City dhe Arsenalit, me Citizens që fituan të parën në shkurt 1904, ndërsa Arsenali fitoi tri të mëvonshmet (mars 1932, shkurt 1971 dhe prill 2017).