SPORT

As Barcelonën, as sauditët, Messi zgjedh Interin amerikan

As Barcelonën, as sauditët, Messi zgjedh Interin amerikan

Leo Messi pritet të transferohet tek Inter Miami në kampionatin MLS.

Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Messi ka marrë vendimin të shkojë në klubin e David Beckham.

Sipas "Marca", Messi u tërhoq nga opsioni i kthimit në Barcelonë. Klubi i tha se regjistrimi i tij është i mundur, por do të duhet kohë. Por Messi nuk donte të priste.

Ylli argjentinas kishte një ofertë edhe nga Al-Hilal. Klubi saudit i ofroi shumë para futbollistit 35-vjeçar, por nga pikëpamja sportive oferta për të nuk ishte aq interesante.

Messi zgjodhi përfundimisht Inter Miami, ku presioni mbi të nuk do të jetë aq i fortë sa në Europë. Në Miami, shumë njerëz flasin spanjisht, gjë që e tërhoqi edhe më shumë sportistin.

Marrëveshja e cila mundëson kalimin e Messit te Inter Miami thuhet se përfshin kontribute nga dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të MLS, AppleTV, mbajtësi aktual i të drejtave të transmetimit dhe Adidas, sponsori i kampionatit amerikan.

MLS dhe Apple thuhet se kanë diskutuar t’i ofrojnë Messit një pjesë të të ardhurave të krijuara nga transmetuesit e rinj. Apple po punon gjithashtu në një dokumentar me katër pjesë që rrëfen katër paraqitjet e Messit në Kupën e Botës. Ndërkohë Adidas thuhet se po i ofron argjentinasit një marrëveshje për ndarjen e fitimit me gjigandin e veshjeve sportive.

Ka gjithashtu zëra se Messi do të ketë të njëjtin opsion në kontratën e tij që e lejon argjentinasin të blejë aksione në një klub në MLS me një çmim të paracaktuar.