Fjalët e Lionel Messit shkojnë në “vesh” të Barcelonës. Ylli argjentinas e tha qartë në një intervistë të para ca ditëve se do t’i pëlqente që sezonin e ardhshëm të kishte shok skuadre jo vetëm te kombëtarja albiceleste Lautaro Martinezin por edhe te Barça pasi e shikon numrin 10 të Interit si pasuesin ideal të Luis Suarez i cili ka mbushur 33-vjeç dhe me siguri do të largohet nga blaugranat kur t’i përfundojë kontrata në vitin 2021. Lautaro Martinez nuk është vetëm i preferuari i Messit por edhe drejtuesve blaugrana të cilët e kanë piketuar prej disa muajsh 22-vjeçarin e Interit dhe madje i kanë bërë gati një kontratë deri në vitin 2025 me një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon. Mjafton që lojtari të ketë dëshirën për t’u transferuar në Camp Nou sepse për të bindur Interin të lejojë largimin e tij nuk është e nevojshme për Barçën, pasi lojtari ka një klauzolë që mund të largohet nga zikaltrit në 15 ditëshin e parë të qershorit për shifrën e 111 milionë eurove, shifër që Barcelona është e gatshme ta paguajë për të mos hyrë fare në bisedime me Interin.