SPORT

Barcelona nxjerr në shitje “yllin” francez

Barcelona nxjerr në shitje “yllin” francez
Barcelona bindet përfundimisht se ka gabuar në blerjen e Antoine Griezmann verën e kaluar nga Atletico e Madridit. Klubi “blaugrana” pagoi 120 milionë euro (kaq ishte klazuola e largimit) për ta shkëputur sulmuesin francez nga “Los Colchoneros”, por rendimenti i 28-vjeçarit nuk i ka përmbushur pritshmëritë, ose më saktë ka qenë me shumë ulje-ngritje. Madje me shumë me ulje sesa me ngritje. Në këto kushte, sikurse njofton e përditshmja katalane “Sport”, drejtuesit e kampionëve në fuqi të Spanjës janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për sulmuesin.

Synimi është që kthehet pjesa më e madhe e parave të investuara për të, por sigurisht edhe çlirimi nga paga shumë e lartë që përfiton francezi.

Në fakt, që në fillim ka patur diskutime për blerjen e Grizemann, pasi te Barcelona futbollistët dhe pjesa më e madhe e opinionit ishin të bindur se skuadra nuk kishte nevojë për një lojtar me karakteristikat e tij.

Griezmann ka shënuar gola, madje disa të rëndësishëm, por forma e tij, e shfaqur në vazhdimësi, vërtetoi idenë e atyre që besonin se blerja e tij ishte e pamenduar mirë.

Ka kushtuar 120 milionë euro dhe tani, pas thuajse një viti, Barcelona do të ishte e gatshme ta shiste edhe për 100 milionë.

Klube si Manchester United, PSG apo Arsenali janë alternativa, të cilat Barça do t’i marrë në konsideratë, në rast se ndonjë prej tyre do të interesohet për Greizmann.