SPORT

Bartomeu flet për herë të parë mbi përplasjet me Messin: Kurrë s’e kam menduar dorëheqjen

Bartomeu flet për herë të parë mbi përplasjet me

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, pretendon se e dinte që do të kritikohej për refuzimin e lejimit të Lionel Messit të largohej këtë verë, por thotë se ishte në interesin më të mirë të klubit ta mbante argjentinasin në “Camp Nou”, të paktën edhe një vit më shumë. Dëshira e Messit për t’i lënë Blaugrana-t ishte “telenovela” e verës, me ikonën argjentinase që i bëri të ditura synimet e tij menjëherë pas poshtërimit 8-2 në Ligën e Kampionëve, ndaj Bayern Munich.

Sidoqoftë, Bartomeu dhe Barça u treguan të vendosur, duke deklaruar se Messi mund të largohej vetëm për klauzolën e lirimit prej 700 milionë euro. Messi përfundimisht u tërhoq, duke thënë se do të qëndronte në “Camp Nou” edhe këtë sezon, për të shmangur shkuarjen në gjykatë me Barcelonën, skuadrën e zemrës. Kapiteni tha se “Bartomeu nuk e mbajti fjalën e tij”, me gjashtë herë fituesin e “Topit të Artë” duke i kërkuar vazhdimisht presidentit që të largohej.

Të hënën, Bartomeu tha se largimi i Messit ishte diçka që ai thjesht nuk mund ta lejonte të ndodhte, pasi ishte në interesin më të mirë të klubit: “Prioriteti ynë ishte mbajtja e Messit, si pjesë e projektit të ri të klubit, kështu që vendosa të mos filloja asnjë diskutim. Unë isha akuzuar për detyrimin e largimit të tij, se doja të ekuilibroja shpenzimet. Epo, jo, ne i vëmë interesat e klubit në radhë të parë dhe nuk dëshironim të përforconim një rival direkt. Ne e morëm atë vendim duke e ditur se do të kritikoheshim për të.

Unë i kuptoj pozicionet e të gjithëve, ndjeshmëria është e rëndësishme. Në rastin e Leos, është mirë të zemërohemi, sepse nuk është mirë të pranojmë humbjen dhe të gjithë të jemi zemëruar. Por, kishte një afat, që ai të njoftonte nëse po largohej ose jo në mënyrë të njëanshme. Ai nuk e bëri dhe është këtu. Ne të gjithë duam që ai të pensionohet te Barça”. Bartomeu diskutoi gjithashtu thirrjet që ai të japë dorëheqjen nga posti i tij, me presidentin që aktualisht përballet me një votë mosbesimi.

Ai këmbënguli se kurrë nuk i shkoi në mendje kjo gjë, pasi ishte i vendosur ta ndihmonte Barçën të fillonte një epokë të re: “Për shkak të çështjes Messi, nuk më shkoi kurrë në mendje të jepja dorëheqjen. Për Barcelonën, për klubin, për ekipin, të kesh Messin dhe ai të dalë në pension këtu, është opsioni më i mirë për të gjithë. Projekti është shumë interesant, me të rinjtë dhe veteranët, si Messi. Dhe unë mendoj se, me të, ne do të fitojmë një titull këtë sezon”.