SPORT

Bashkia Shkodër për ankandin e shitjes së Vllaznisë: Po shkohet drejt fituesit

Bashkia Shkodër për ankandin e shitjes së Vllaznisë: Po

Bashkia e Shkodrës ka njoftuar se ndonëse disa shoqëri janë ankuar për procesin e shitjes së klubit të futbollit Vllaznia, Komisioni i Prokurimit Publik e ka vlerësuar procesin e ankandit si të rregullet.

Ky vendim i KPP i hap rrugën përfundimit të procesit të privatizimit të aksioneve të klubit të parë në historinë e futbollit shqiptar.

Bashkia ka njoftuar se ndodhet në hapat finale të procesit të privatizimit. Aktualisht besohet se kompania “Fujifilm” është e favorizuar për të qenë pronarja e re e ekipit.

Njoftimi i plotë i Bashkisë Shkodër:

Komisioni i Prokurimit Publik - KPP ka sjellë zyrtarisht në Bashkinë e Shkodrës përgjigjen përfundimtare për procesin e ankandit të KF Vllaznia sh.a.

KPP ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit Shitës - Bashkia e Shkodrës, duke çertifikuar të gjitha etapat e procedurës së ndjekur për ankandin e KF Vllaznia sh.a.

Që në ditën e parë të shpalljes, ka qenë një proces ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun. Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri.

Tashmë, pas vendimit të KPP, ankandi i KF Vllaznia sh.a. po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli.

Jemi krenarë që Vllaznia jonë është përsëri e para edhe në ketë procedurë.

Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit që kanë treguar interes për një emër të madh siç është Vllaznia jonë.

Klubi kuqeblu përgatitet të nisë një fazë të re të aktivitetit, duke u administruar ashtu si të gjitha klubet e tjera të suksesshme në vend e botë. Siç kemi konfirmuar edhe më herët, si një emblemë identifikuese e Shkodrës, shkodranëve e mijëra tifozëve, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të kontribuojë për Vllazninë e futbollit siç edhe për të gjitha sportet.

Në fund, një falenderim për tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, të të gjitha kohërave, kudo ku ndodhen. Mbështetja e tyre edhe gjatë procesit të ankandit, është një vlerë shtuar e qendrueshme për Vllazninë dhe sukseset e saj.

Tiranapost.al