SPORT

Bayern nuk do të blejë Coutinhon, pritet konfirmimi i Perisic

Bayern nuk do të blejë Coutinhon, pritet konfirmimi i Perisic
Bayerni i Mynihut ka vendosur të mos ushtrojë të drejtën e blerjes për fantazistin brazilian Philippe Coutinho, i cili e nisi mjaft mirë aventurën bavareze, por me ndryshimet në pankinë, performanca e tij ra ndjeshëm.

Coutinho u huazua nga Barcelona, me të drejtë blerjeje për shifrën e 80 milionë eurove, por duket se tashëm drejtuesit e klubit bavarez nuk kanë ndërmend të paguajnë një shifër të tillë stratosferike, për një lojtar që në shumicën e kohës i ka nisur ndeshjet nga pankina.

Lajmin e kanë konfirmuar mediat bavareze, sipas të cilave nuk pritet të ketë fatin e Coutinhos, sulmuesi anësor kroat, Ivan Perisic, i cili ka ardhur te Bayern i Mynihut me të njëjtën formulë nga Interi, por kartoni tij kushton vetëm 20 milionë euro.

Duke qenë se kroati ka qenë shpesh vendimtar me ardhjet e tij nga stoli dhe se di të përshtatet mirë në të dy krahët e sulmit, drejtuesit e Bayernit kanë ndërmend të paguajnë shifrën prej 20 milionë eurosh, për ta mbajtur Perisic si rezervë të parë për krahët e sulmit.