SPORT

Befason Andre Schurrle, i jep lamtumirën futbollit pa mbushur ende 30 vjeç

Befason Andre Schurrle, i jep lamtumirën futbollit pa mbushur ende 30
Sulmuesi anësor gjerman Andre Schurrle ka vendosur “të varë këpucët në gozhdë” në një moshë fare të re, pasi vetëm në muajin nëntor do të festojë ditëlindjen e tij të 30.

Lajmin e ka dhënë vetë Schurrle, i cili pak ditë më parë kishte vendosur mbylljen me marrëveshje të kontratës me Borussian e Dortmundit dhe menjëherë më pas edhe për t’i dhënë lamtumirën sportit me të cilin u bë i famshëm.

“Vendosa t’i jap lamtumirën futbollit, ndonëse në një moshë shumë të re. Nuk doja të përballesha më me vetminë dhe konkurrencën e natyrshme të këtij sporti, ndaj menjëherë pas mbylljes së kontratës me Borussian e Dortmundit, vendosa të tërhiqem”, deklaroi Schurrle për mediat gjermane.

Gjatë karrierës së tij, Andre Schurrle ka veshur fanellën e skuadrave si Mainz, Bayer Leverkusen, Chelsea, Wolfsburg, Borussia Dortmund, Fulham e Spartak i Moskës, për një total prej 373 ndeshjesh, ku ka shënuar edhe 86 gola.

Futbollisti numëron edhe 57 ndeshje me kombëtaren gjermane, ku ka shënuar 22 gola, ndërsa do të mbahet mend për dopietën e shënuar në gjysmëfinale ndaj Brazilit në Botërorin e 2014-ës dhe asistin për Gotze në finalen e të njëjtit kompeticion, përballë Argjentinës.