SPORT

Biznesmeni arab blen biletën 2.6 milionë dollarë për të parë Ronaldon kundër Lionel Messit

Biznesmeni arab blen biletën 2.6 milionë dollarë për të

Një biznesmen nga Arabia Saudite u shpall fitues i ankandit për biletën e artë me vlerë 2.6 milionë dollarë, me të cilën do të shohë Cristiano Ronaldon të përballet me Lionel Messin.

Biznesmeni Mushref Al-Ghamdi, menaxher i grupit të pasurive të paluajtshme AqarOne, ishte fituesi i biletës “Përtej imagjinatës”, e cila i jep vendin e nderit në ndeshjen miqësore të Paris Saint-Germain kundër një skuadre të përbërë nga lojtarë të ekipeve saudite Al Hilal dhe Al Nassr, klubi që së fundi nënshkroi me Ronaldon.

Me anë të kësaj bilete Al-Ghamdi do të shikojë ndeshjen në zonën VIP, por do të ketë mundësinë të takojë Ronaldon dhe Messin, si dhe yjet e tjerë të PSG-së, Neymar Jr. dhe Kylian Mbappé.

Al-Ghamdi do të marrë pjesë gjithashtu në një drekë gala dhe do të mund të hyjë në dhomat e zhveshjes së të dy skuadrave, si dhe t'i bashkohet një fotoje grupi me ekipin fitues.

Autoritetet në Arabinë Saudite thanë se paratë do të shkojnë për bamirësi.