SPORT

Caktohen datat dhe oraret e javës së 30, Tirana luan klasiken, Kukësi udhëton në Laç

Caktohen datat dhe oraret e javës së 30, Tirana luan klasiken,
Beteja për titullin kampion në Kategorinë Superiore duket sikur u rihap ditën e djeshme, me Kukësin që fitoi ndaj Flamurtarit dhe Tiranën që u mposht në Durrës, ndërsa distanca mes kryesuesve është tashmë vetëm 6 pikë.

Pikërisht për këtë arsye, lufta është bërë edhe më interesante, ndërsa sot FSHF-ja ka përcaktuar edhe kalendarin për javën e 30, që do të luhet në dy ditë të ndryshme, të premten dhe të shtunën.

Kështu fillimisht do të jetë radha e Tiranës që të zbresë në stadiumin “Selman Stërmasi” për të luajtur klasiken e futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë, me dëshirën dhe shpresën që të rikthehet menjëherë te fitorja.

Sfida do të startojë në orën 17:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Supersport 3, ndërsa në të njëjtën orë do të luhet edhe përballja tjetër e ditës, ajo mes Flamurtarit e Partizanit në Vlorë, që do të transmetohet në Supersport 4.

Më pas 3 takimet e tjera do të luhen ditën e shtunë, të treja në orën 17:00, ndërsa vëmendja maksimale do të jetë në përballjen mes Laçit dhe Kukësit, me verilindorët që do të provojnë të marrin një tjetër fitore, për t’i bërë presion Tiranës nga mbrapa.

Po kaq interesante do të jetë edhe sfida e Ballshit, ku Bylisi vendas do të presë Skënderbeun e Ilir Dajës dhe një fitore në këtë përballje, do të rindizte shpresat e mallakastriotëve për një vend në Kupat e Europës, ndërsa në të njëjtën orë, Teuta do të udhëtojë drejt Gjirokastrës për t’u përballur me Luftëtarin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë.