SPORT

Cavani: Krenar që po lë gjurmë në historinë e klubit

Cavani: Krenar që po lë gjurmë në historinë e klubit
Edinson Cavani theu heshtjen e gjatë dhe foli për mungesën e transferimit tek Atletico e Madridit gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi uruguaian shënoi golin e 200 me skuadrën pariziene në ndeshjen kundër Bordeaux.

Cavani, i cili është në kontratë me PSG deri më 30 qershor, nuk do të rinovojë dhe nga vera do të luajë në një ekip tjetër.

“Jam i kënaqur që qëndrova. Parisi më dha shumë. Unë jam këtu për të vazhduar aventurën time në Paris, jam i lumtur dhe krenar për këtë. Nënshkrimi me Atleticon? I përket së kaluarës dhe ndonjëherë është mirë t’i lëmë këto gjëra pas. Ishte një muaj i veçantë dhe shumë i vështirë për mua”.

Cavani premtoi se do të japë maksimumin deri në ditën e fundit me kampionët e Francës.

“Është e vështirë për të gjithë lojtarët kur kalojnë kohë si këto, por është pjesë e punës sonë, futbollit. Nuk ka asgjë për të kritikuar. Vetëm punë dhe punë… Sepse, në fund të fundit, janë vetëm këto sakrifica që të lejojnë të vazhdosh përpara”.

“El Matador”, i cili zgjodhi një gol që i ka shënuar Marsejës në 2017 si më të mirin e karrierës së tij te PSG, foli pothuajse me nuanca nostalgjike për ekipin kryeqytetas.

“Kanë kaluar 6 vjet e gjysmë dhe do të bëhen 7 vjet në fund të sezonit. Shumë gjëra kanë ndodhur. Pastaj është krijuar një histori e vogël në këtë klub. Është një aventurë e shkëlqyer në jetën time, në karrierën time. Jam krenar që e di që mund të lë një gjurmë të vogël në historinë e klubit. Sidomos për tifozët, sepse më dhanë besim çdo ditë”.