SPORT

Chelsea mposht City-n dhe “i vë kurorën e kampionit” Liverpoolit

Chelsea mposht City-n dhe “i vë kurorën e kampionit”
Liverpooli është matematikisht kampioni i ri i Anglisë. “Dhuratën” e fundit ekipit të drejtuar nga Jurgen Klopp ia bëri Chelsea me fitoren 2-1 ndaj Manchester City-t në Londër. Në “Stamford Bridge” mjaftonte që Citizens të mos fitonin për të kurorëzuar “The Reds”, por skuadra e Frank Lampard, e angazhuar maksimalisht për të marrë tri pikët në funksion të sigurimit të pjesëmarrjes në Champions, siguroi një triumf shumë të rëndësishëm, që zyrtarizoi pas 30 vitesh “mbret” të Premier League-s Liverpoolin, që 7 javë para fundit kryeson me 23 pikë më shumë se Manchester City.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 36-të me Pulisicin, që përfitoi nga gabimi i mbrojtjes që në vijën e mesfushës dhe pasi vrapoi për rreth 50 metra mposhti edhe portierin Ederson.

Kevin De Bruyne barazoi rezultatin në minutën e 55-të me një goditje të lirë spektakolare, por blutë kthyen epërsinë në minutën e 78-të, pas një 11-metërshi (Fernandihno largoi me dorë topin në vijën fatale dhe u ndëshkua me karton të kuq) të shndërruar në gol nga Willian.

Chelsea me këtë sukses rikthen doferencën prej 5 pikësh me Manchester United që i kërcënon vendin e katërt.