SPORT

Cikalleshi firmos për dy sezone me Konyaspor

Cikalleshi firmos për dy sezone me Konyaspor

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Sokol Cikalleshi është rikthyer në Superligën turke, pasi pasditen e sotme ka firmosur për dy sezone me klubin e Konyasporit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi turk, që ka bërë edhe prezantimin zyrtar të 30-vjeçarit nga Kavaja.

Sokol Cikalleshi luan prej 5 sezonesh në Turqi, teksa pjesën më të madhe, ose plot 3 sezone e gjysmë ka qenë pjesë e Superligës turke, ndërsa vetëm një sezon e gjysmë ka luajtur në ligën e parë.

Sulmuesi kavajas u transferua fillimisht te skuadra e Istambul Basaksehir, ku shënoi 13 gola në 37 ndeshje në sezonin e parë, ndërsa më pas veshi edhe fanellat e skuadrave si Akhisar, Osmanlispor e Goztepe.

Tani sulmuesi rikthehet sërish në Superligën turke, ku do të ketë një sfidë në distancë edhe me shokun e tij te kombëtarja shqiptare, Armando Sadikun, i cili pak ditë më parë firmosi me Erzurumsporin.