SPORT

Conte analizon me detaje Interin e tij: Champions-i? Tani kemi më shumë përvojë

Conte analizon me detaje Interin e tij: Champions-i? Tani kemi më

Antonio Conte rindez sfidën; synon të mbetet ndër të parët në Serie A deri në fund dhe të bëjë një udhëtim të rëndësishëm në Europë. Disfata në derbi e shkatërroi fundjavën e tij, por nuk ia hoqi bindjet trajnerit zikaltër, që në prag të debutimit të nesërm në Ligën e Kampionëve, në “San Siro” kundër Borussia Mönchengladbach, tregoi optimizmin e tij, duke nënvizuar përvojën më të madhe të grupit aktual sesa sezonin e kaluar.

Conte, krahasuar me sezonin e kaluar, sa ndihmë mund t’ju japë përvoja më e madhe në Kupat e Evropës, falë mbërritjes në finalen e “Europa League” dhe ardhjeve të Vidal e Hakimi?
Shkalla e përvojës është rritur falë aventurës që bëmë sezonin e kaluar në “Europa League”, një kompeticion të cilit i luajtëm edhe finalen. Përveç kësaj, ne kemi shtuar Vidal, me mjaft përvojë. Unë besoj se nga ky këndvështrim jemi të pajisur shumë më mirë.

Cila është situata e skuadrës në nivelin e disponueshmërisë dhe jo? A mund të luajnë Bastoni nga minuta e parë?
Bastoni ka rinisur dje me ne dhe sot do të zhvillojë seancën e dytë. Ai do të jetë në dispozicion, por në stol. Kur vjen nga prekja me Covid-19, duhet kohë për t’u rikthyer në ekip. Për pjesën tjetër do të bëjmë disa vlerësime në vijim. Brozo duket pak i lodhur, ndërsa Sensi është kthyer. Nëse dikush ka lodhje, ne nuk do të rrezikojmë.

Skuadrat italiane të përfshira në Champions, fundjavën e kaluar bënë pothuajse të gjitha keq. A ishte vetëm një rast?
Në Itali, kampionati do të jetë shumë i ekuilibruar. Unë shoh shumë ekipe që do të luftojnë për 4 vendet e para në renditje. Janë ekipe të ndryshme, që mund të bëjnë gjëra të rëndësishme. Ne duam të jemi në mesin e tyre dhe do të përpiqemi të qëndrojmë në këtë grup. Edhe jashtë Italisë, Reali dhe Barcelona kanë humbur… Shumë skuadra u kthyen të luajnë pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare, kishte disa rezultate të habitshme.

Çfarë prisni nga kjo aventurë në Champions?
Ne duam të jemi zot të fatit tonë. Ta thuash tani atë që mund të bëjmë, nuk është e lehtë. Sigurisht, duam të jemi zot i fatit tonë, e përsëris.

Pse po luani me 3-4-1-2, pa Eriksen? A e shihni edhe Vidal në atë rol?
Për shkak se rriten karakteristikat e individëve. Ndoshta nuk e keni vërejtur, por atë rol të mesfushorit-sulmues, Barella e bëri edhe në fundin e sezonit të kaluar, më i zhvendosur në të djathtë. Në atë pozicion, Barella, Sensi, Vidal, Nainggolan dhe Eriksen mund të luajnë.

Reali e konsideron Interin favoritin e grupit, sepse luan në “San Siro”. A jeni dakord?
Nuk e di nëse Reali na konsideron si favoritin e grupit. Reali ka fituar kampionatin e fundit spanjoll, ka lojtarë 100 milionësh, të cilët e kanë fituar Ligën e Kampionëve disa herë. Zërat se Reali nuk është favorit më bëjnë të buzëqesh. Vlerësimet duhet të bëhen seriozisht ose mbase unë po humbas shikimin nga realiteti.

A mendoni se ju mungon një trofe ndërkombëtar për të kurorëzuar karrierën tuaj si trajner?
Po afrohem më shumë me trofeun, sepse në 4 vite kam arritur në 1/8 finale, në një çerekfinale, në një gjysmëfinale dhe në një finale, por për mua nuk është problem. Unë jam duke mësuar ta shijoj udhëtimin me klubet dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Vetëm një e fiton Champions-in, por për katër vite mund të jem i kënaqur me rrugën në dy garat europiane. Ndihem krenar që e kam bërë këtë me klubet.

Si duket Sanchez? A mund të ishte menaxhuar më mirë gjatë ndërrimit?
Ne ishim shumë të shqetësuar për gjendjen e tij, sepse pak lajme pozitive po vinin nga Kili. Kishte një lodhje në aduktorët e tij, ndaj e lejuam të luante vetëm 15 minuta në derbi. Tani është trajnuar mirë, dëshiron të tregojë veten. Ekziston mundësia e zbritjes së tij në fushë edhe nga minuta e parë.

A nuk mendoni se për shkak të karakteristikave që kanë mbrojtësit tuaj, ata vuajnë nëse skuadra është shumë e gjatë?
Gjithashtu, sezonin e kaluar kemi luajtur në këtë mënyrë, duke lënë shumë hapësira prapa vijës sonë mbrojtëse. Karakteristikat e mbrojtësve tanë mund ta mbështesin këtë situate. Ne humbëm Godin dhe morëm Kolarov, por të tjerët ishin të gjithë aty. Sezonin e kaluar e përfunduam me mbrojtjen më të mirë në Serie A. Ne punojmë shumë dhe krijojmë shumë. Natyrisht, duhet t’i përmirësojmë situatat negative që lindin rrugës. Nuk shqetësohem, sepse e shoh ekipin të luajë dhe të krijojë. Ekipet italiane shpesh akuzohen se janë shumë mbrojtëse dhe luajnë vetëm në kundërsulm. Duam të luajmë futbollin tonë, që na dërgoi në finalen e “Europa League”. Të rinjtë duhet të ingranohen në një mekanizëm, që është ngritur tashmë.