SPORT

Edhe ndihmësi i Piolit me COVID-19, Bonera në stol e Ibra trajner në fushë

Edhe ndihmësi i Piolit me COVID-19, Bonera në stol e Ibra trajner

Një tjetër lajm i keq për Milanin, që lidhet me COVID-19. Pas trajnerit Stefano Pioli, edhe zëvendësi i tij, Giacomo Murelli, doli pozitiv me Koronavirus. Një problem i madh para transfertës tepër delikate kundër Napolit, e planifikuar për të dielën në mbrëmje, në “San Paolo”. Kuqezinjtë tani do të duhet të gjejnë një zëvendësues për ta ulur në stol, të paktën zyrtarisht, duke pasur parasysh që ai duhet të jetë një person i lidhur me stafin. Në njoftimin e Milanit shkruhet:

“AC Milan njofton që Giacomo Murelli është në izolim që nga e shtuna, pas konfirmimit të pozitivitetit të Stefano Piolit. Tamponi i dytë, i kryer dje, konfirmoi se edhe ai është infektuar me Koronavirus. Murelli është mirë dhe do të vazhdojë karantinën në shtëpi”.

Për personin që do të ulet në stol në rolin e trajnerit përmendet emri i Daniele Boneras, bashkëpunëtorit aktual teknik të Milanit. Sigurisht që nuk do të mungojnë udhëzimet brenda fushës, pasi vetë Ibra është në gjendje të menaxhojë të gjithë ekipin. Zlatan konsiderohet një lloj trajneri lojtarësh, figura e të cilit në “San Paolo” do të jetë më e rëndësishme se kurrë.