SPORT

Eliminim “i hidhur” nga Kupa, Tirana shkarkon trajnerin Egbo

Eliminim “i hidhur” nga Kupa, Tirana shkarkon trajnerin Egbo

Eliminimi i hidhur në fazën e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, pas humbjes së befasishme 0-1 ndaj skuadrës së Korabit, i ka kushtuar pankinën trajnerit të Tiranës, Emanuel Egbo.

Kjo pasi menjëherë pas ndeshjes, drejtuesit e klubit të Tiranës kanë shkarkuar trajnerin që riktheu kryeqytetasit te titulli kampion dhe vendimin e komunikuan në faqen zyrtare në Facebook.

Emanuel Egbo mori drejtimin e Tiranës më 11 dhjetor të vitit të kaluar, në një moment mjaft të vështirë për bardheblutë që më herët kishin shkarkuar Ardian Memën dhe Julian Ahmatajn.

Trajneri nigerian ia doli të rikthejë qetësinë dhe rezultatet te Tirana, duke udhëhequr skuadrën jo vetëm drejt titullit kampion që mungonte prej vitesh, por edhe drejt një fushate të mirë eliminatore në kupat e Europës.

Ende nuk dihet nëse Egbo do të largohet përfundimisht nga Tirana, apo do të rikthehet në rolin e trajnerit të portierëve, që e ka bërë edhe para se të ulej në krye të pankinës, ndërsa vetë klubi kryeqytetas ka theksuar në deklaratë se nigeriani do të vijojë të jetë pjesë e familjes bardheblu.

Deklarata e Tiranës:
“Klubi i Futbollit Tirana njofton shkarkimin e trajnerit Emmanuel Egbo. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, Egbo nuk do të jetë më në krye të bardhebluve për shkak të rezultateve të munguara.

Klubi e falenderon për përkushtimin dhe sukseset e arritura, të cilat kulmuan me kthimin e titullit kampion në shtëpi.

Duke i uruar suksese në karrierën e tij, kampi i kampionëve i jep një meritë të vecantë të suksesit në sezonin e shkuar njëriut që prej vitesh ishte edhe do të jetë pjesë e familjes së bardhebluve. Faleminderit Egbo!