SPORT

Emergjencë totale te Liverpool, një tjetër mbrojtës operohet dhe mbyll sezonin

Emergjencë totale te Liverpool, një tjetër mbrojtës operohet

Nuk kanë të sosur telashet në këtë fillim sezoni për Jurgen Klopp, pasi mbrojtësit e tij vijojnë të “ngrenë flamurin e bardhë” njëri pas tjetrit dhe të mbyllin para kohe sezonin, duke komplikuar jo pak punën e trajnerit gjerman.

Kështu ditën e sotme ka qenë radha e mbrojtësit 23-vjeçar Joe Gomez që t’i nënshtrohej një operacioni në gju, pas një dëmtimi që pësoi në grumbullimin me kombëtaren angleze dhe tani do t’i duhet të qëndrojë për muaj të tërë jashtë fushave.

Planet janë që Gomez të rikthehet në muajin maj, për të qenë gati për Kampionatin Europian, ndërsa Klopp shpreson ta ketë gati për javët e fundit të sezonit, ndonëse diçka e tillë duket e vështirë.

Kujtojmë që në fillim të muajit tetor ishte holandezi Virgil Van Dijk që iu nënshtrua një operacioni dhe në rastin më të mirë do të kthehet në muajin prill, ndërsa më pas u dëmtua edhe mesfushori Fabinho, të cilin Klopp filloi ta përdorë si mbrojtës.

Për 2-3 takime trajneri gjerman u detyrua t’i besojë qendrën e prapavijës pikërisht Joe Gomez dhe 19-vjeçarit Rhys Williams, ndërsa vetëm javën e kaluar rikuperoi kamerunasin Joel Matip. Megjithatë tani me dëmtimin e Gomez, do t’i duhet të llogarisë sërish 19-vjeçarin Williams si titullar.