SPORT

Europa League/ 6 ekipe shqiptare zbresin sot në fushën e blertë, spikat Kukësi-Wolfsburg

Europa League/ 6 ekipe shqiptare zbresin sot në fushën e blertë,

Dita e sotme është dita e madhe e futbollit shqiptar në arenën europiane. Plot 6 skuadra do të zbresin sot në fushë teksa do të zhvillojnë sfidat e turit të 2-të paraeliminator të Europa League.

3 skuadra të Kategorisë Superiore, 2 skuadra shqiptare të Maqedonisë dhe kampionia e Kosovës do të kërkojnë me të gjitha mënyrat kualifikimin për më tej edhe pse kundërshtarët që kanë përballë janë shumë të fortë dhe vinë nga kampionate elitare.

Në orën 16:00 Teuta e Edi Martinit që bëri surprizën në turin e parë duke eliminuar izraelitët e Beitar Jerusalem do të presë në “Niko Dovana” në një ndeshje teke ku do të zgjidhet çështja e kualifikimit, Granadan që merr pjesë për herë të parë në kompeticionet europiane.

Favorite e padiskutueshme për të kaluar më tej është padiskutim skuadra spanjolle, megjithatë Teuta do të përpiqet të thotë fjalën e saj në këtë duel.

Në orën 19:00 në “Elbasan Arena”, Laçi do të presë izraelitët e Hapoel Beer Sheva. Ndryshe nga një vit më parë ku kjo përballje ishte për turin e parë dhe ndeshja e vajtjes u luajt në Laç me tifozë, këtë herë do skuadrat do të zbresin në Elbasan, pasi stadiumi i Laçit nuk i plotëson kushtet për të luajtur ndeshje të turit të dytë.

Në orën 20:00 në “Air Albania” do të jetë radha e Kukësit për të sfiduar gjermanët e Wolfsburgut në një ndeshje historike për skuadrën e Skënder Gegës, pasi Wolfsburgu mund të konsiderohet kundërshtari më i vështirë me të cilin është përballuar ndonjëherë Kukësi. Gjithsesi siç e ka thënë edhe trajneri Skënder Gega, Kukësi nuk do të hyjë në fushë i dorëzuar, por për ta provuar.