SPORT

Finalja europiane mund të sjellë trazira në Tiranë, eksperti Karamuço flet për masa të larta sigurie

Finalja europiane mund të sjellë trazira në Tiranë, eksperti

Pak ditë para finales së Konferencë Ligës mes Romës dhe Feyenoord në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, eksperti i çështjeve të sigurisë, Ervin Karamuço, ka dhënë sinjale për trazira të mundshme në vendin tonë, për të cilat ai thotë se kërkohet vigjilencë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit.

Duke sjellë në vëmendje episode të kaluara të shoqëruara me incidente e dhunë nga tifozët e ekipit hollandez pedagogu i drejtësisë shprehet se edhe në vendin tonë nuk përjashtohen akte të tilla.

“Deri tani nuk po e përmend askush, por përgatituni për një 25 Maj të vështirë të trazirave huligane në Tiranë. Shpresoj që Policia e Shtetit të jetë njohur mirë me ngjarjet e mëparshme të Feyenoordit në Evropë dhe të ketë filluar trajnimet me manualet e Clifford Stott. Përgatituni për akte të rënda ndaj sigurisë publike” shprehet Karamuço në rrjetet sociale.

Ekipi hollandez i futbollit, së bashku me stafin që e shoqëron, mësohet se do të qëndrojë në një prej strukturave hoteliere në Durrës përpara finales së madhe.

Ndërsa Ambasada Holandeze ka bërë të ditur se për të asistuar çdo sportdashës që do të fluturojë nga Holanda e do të jetë pjesë e festimeve të finales do të ngrihet një pikë informacioni e ambasadës pranë zonës së pedonales në Tiranë.

Kjo pikë do të shërbejë për të ndihmuar tifozët që mund të kenë probleme me dokumentet e identifikimit, apo të çdo natyre, ku ambasada mund të mundësojë orientimin e saj.