Florian Marku ka triumfuar mbrëmjen e sotme në “Air Albania” duke mbojtur titullin kampion në një ndeshje jo të lehtë përballë meksikanit Miguale Parra Ramirez.
Boksieri i njohur dhe si mbreti shqiptar i ringut ka fituar titullin e përkohshëm kampion bote në kategorinë WBC Silver, në peshën “welter”, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Marku pas fitores ka falenderuar të gjithë shqiptarët që e mbështetën dhe e ndoqën, ndërsa thotë se do të luajë me shpirt në ring deri në fund.
“Iu them faleminderit të gjithëve që erdhët sot. Kushdo që stërvitet jep shpirtin. Meksikanët janë të fortë. Një duartrokitje për meksikanin që erdhi këtu. Kam kaluar një jetë jo të lehtë si të gjithë shqiptarët. Ju falenderoj ju që keni ardhur ketu. Nuk jam as superman as njeri që nuk goditet, edhe unë kam shpirt, por vetëm diçka ju premtoj. Do jap shpirtin derisa të bie dhe të mos çohem më. Ju premtoj se do jap shpirt”, u shpreh Marku.
Ky është suksesi i 12-të në karrierë për boksierin nga Lushnja, që ka edhe një barazim, duke qëndruar kështu i pamposhtur në ring.