SPORT

FSHF letër Këshillit të Ministrave: Të kompesohet futbolli shqiptar

FSHF letër Këshillit të Ministrave: Të kompesohet futbolli
Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar me një letër Këshillit të Ministrave duke i kërkuar kompensim financiar futbollit shqiptar.

Kujtojmë se FSHF ndërpreu të gjitha aktivitetet e saj futbollistike pas urdhërit të nr. 132 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 08.03.2020 si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19 në vend.

Njëherazi Vendimi nr.243 i Këshillit të Ministrave i datës 24.03.2020 për Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore, ka ndaluar tërësisht punën e Federatës së Futbollit dhe të gjitha hallkave të këtij sektori në rang vendi.

Me ndërprerjen e aktiviteteve, është paralizuar një sektor i madh i futbollit në vend ku shumë klube, shkolla dhe akademi futbolli janë drejt falimentimit.

Gjithashtu shumë të punësuar do të jenë pa të ardhura duke nisur nga vetë futbollistët, trajnerët e deri dhe në stafet teknike.

Prandaj FSHF ka kërkuar që të gjithë punonjësit në sektorin e futbollit të përfshihen në paketën e kompensimit financiar për t’i ndihmuar ata të përballojnë situatën me COVID-19.

Njëherazi, FSHF i është bashkuar fushatës së FIFA-s dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftë kundër virusit COVID-19, duke e përcjellë këtë fushatë në të gjitha hallkat e botës futbollistike shqiptare.