SPORT

FSHF ndjek modelin e Ligës Gjermane, ideja si të rifillojë aktiviteti

FSHF ndjek modelin e Ligës Gjermane, ideja si të rifillojë
Një draft që është ende në përpunim, por gjithashtu një dokument që tregon se Federata Shqiptare e Futbollit i ka idetë e qarta në lidhje me sezonin aktual të ndërprerë për shkak të emergjencës së koronavirusit dhe që përmblidhet në një fjalë të vetme: rifillim! “Balkanweb” ka mundur të sigurojë dokumentin e rëndësishëm të grupit të punës në FSHF, atë që quhet Protokoll Sanitar dhe që do të garantonte shëndetin e të gjithë aktorëve të një ndeshjeje futbolli, duke nisur nga fëmijët e topave, skuadrat dhe përfaqësuesit e mediave.

Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të adaptojë skemën e DFL-së, Ligës Gjermane të Futbollit, që është një hap para kampionateve në tjera elitare në këtë çështje dhe pret nga dita në ditë lejen e kancelares Angela Merkel. Praktikisht një asist për qeverinë shqiptare, e cila deri më tani ka qëndruar thundrafortë në pozicionin e saj, duke e lenë sportin dhe futbollin në veçanti, në fund të listës së saj.

Drafti parashikon që në një ndeshje futbolli të Kategorisë Superiore, të jenë në total 179 persona, të cilët do të jenë të ndarë në këtë mënyrë.

Ndarja në stadium:

(Zona1, Fusha) përbëhet nga lojtarët, trajnerët, stafi teknik dhe gjyqtarët (jo më shumë se 88 persona)

(Zona2, Tribuna) përbëhet nga punonjës e transmetimeve TV, Stafi dhe Delegacionet e ekipeve dhe disa nga përfaqësues të tjerë të mediave apo edhe stafi i higjienës(jo më shumë se 59 persona). Ky grup mund të hyjë edhe në stadium, por duhet të mbajë një distancë nga grupi i gjelbër (Zona 1).

(Zona 3, Përreth Stadiumit) përfshin përfaqësit e forcave të rendit, regjinë e televizioneve, punëtorët e fushës dhe zjarrfikësit (jo më shumë se 20 persona).

Një nga pikat më të rëndësishme në këtë draft, janë testet ndaj Covid-19, të cilat skuadrat duhet t’i paraqesin jo më vonë sesa ora 10 e mëngjesit të ditës së ndeshjes. Lidhur me pjesën e grumbullimeve stërvitore, ndeshjeve futbollistike etj., sipas protokollit të OBSH-së dhe rekomandimit të mjekëve, duhen ndjekur dhe zbatuar udhëzimet e mëposhtme në mënyrë rigoroze:

Udhezimet për ushtrimin e aktivitetit:

Një shërbim mjekësor sanitar, i pajisur me skaner për matjen e temperaturës, në hyrjen e stadiumit, për të gjitha subjektet e autorizuar.
Një dokument me të gjitha normat higjieno-sanitare të adoptuara në secilin impiant sportiv, përpara zhvillimit të çdo eventi, i cili u duhet prezantuar autoriteteve, në rast kërkese.
Një modul elektronik për të certifikuar subjektet që do të hyjnë në impiant dhe masa kontrolluese për të evituar sa më shumë rrezikun e infeksionit.

Do të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;
Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës, para, gjatë dhe pas ndeshjeve; Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumbullim tjetër të detyrueshëm në vende të mbyllura;
Hotel ekskluziv për ekipin ose katin / zonat ekskluzive për të shmangur kontaktin me vizitorët e tjerë të hotelit.
Kush hyn në stadium, përveç skuadrave:
Zyrtarët e ndeshjes.
10 persona zyrtarë të autorizuar nga çdo skuadër, qëndrimi është I lejuar vetëm në tribunë dhe me një largësi prej 2 metra nga njëri-tjetri. 4 fëmijë për kapjen e topave.
Përgjegjësit e sigurisë publike 4 persona, stjuardët e parashikuar në zonat e piketuara deri në 20 persona, zjarrfikësit 4 persona, operatorët e ndihmës së shpejtë, të parashikuar sipas ligjit.
Vetëm operatorët televizivë dhe gazetarët e rrjeteve titullare të drejtave të transmetimit “live”.
Fotografët zyrtarë dhe zyra e shtypit e të dyja skuadrave.
Gazetarët dhe fotografët e autorizuar nuk do të jenë më shumë se 20 vetë, por ndërkohë ata do të jenë të ndaluar që të kenë kontakte me personelin e dy skuadrave.
Në tribunën e shtypit, të gjithë gazetarët dhe fotografët e akredituar do të duhet të qëndrojnë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit.
Në terrenin e lojës do të mund të zbresin vetëm fotografët zyrtarë të të dyja klubeve. Ndërsa ata të jashtmit do të kenë një vend të rezervuar dhe të kushtëzuar, por kurrsesi brenda terrenit të lojës.