SPORT

Gattuso: Humbëm me një gjysmë rasti, tani nuk na lejohen më gabimet

Gattuso: Humbëm me një gjysmë rasti, tani nuk na lejohen më

Pas fitores së bukur 4-1 ndaj Atalantës në kampionat, Napoli zhgënjeu në Europa League pasi u mposht në shtëpi nga holandezët e AZ Alkmaar me rezultatin minimal 0-1. Trajneri Gennaro Gattuso u shpreh i zhgënjyer me paraqitjen e të tijve dhe paralajmëroi se tani nuk tolerohen më gabimet.

“Zhvilluam një ndeshje të mirë në aspektin e kontrollit të topit, por lëvizëm pak pa top dhe nuk arritëm të krijojmë raste të mira shënimi. Nga ana tjetër kundërshtari na mposhti me një gjysmë rasti dhe tani me këtë humbje nuk na lejohen më gabimet”, u shpreh trajneri italian.

Ndryshe nga herët e tjera, holandezët e AZ-së befasuan mbrëmjen e sotme, duke luajtur të tërhequr në mbrojtje, ndërsa këtë fakt e pranon edhe Gattuso që tregon se priste një tjetër mënyrë loje nga kundërshtari.

“Ata zakonisht luajnë hapur dhe kërkojnë golin, por sot më befasuan, pasi u rreshtuan mbrapa dhe luanin vetëm për t’u mbrojtur. Ne dominuam lojën, por në 10-15 metrat e fundit duhet të jemi më të saktë për të shkuar te goli. Ndoshta ndonjë kompliment më tepër në fundjavë, ka bërë punën e vet në mobilizimin e skuadrës”, tha trajneri i Napolit.