SPORT

Gattuso në telashe, dëmtimet e pezullimet i gjymtojnë mbrojtjen

Gattuso në telashe, dëmtimet e pezullimet i gjymtojnë mbrojtjen

Napoli fitoi jo pa vështirësi 1-2 në transfertën ndaj Udineses, megjithatë telashet me mungesat për trajnerin Gennaro Gattuso vijojnë të shtohen dhe së fundi përveç sulmit, edhe mbrojtja është në numra minimalë.

Kjo pasi ndaj Udineses u dëmtua mbrojtësi grek Kostas Manolas, ndërsa italiani Giovanni di Lorenzo ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen me Fiorentinën në fundjavë.

Pikërisht për këtë arsye trajneri Gattuso do të jetë i detyruar të rrezikojë senegalezin Khalidou Koulibaly, i cili vijon rikuperimin nga dëmtimi, ose t’i besojë dyshes Rrahmani-Maksimoviç, të cilët nuk po tregojnë aspak siguri.

Lajme të këqija vijnë edhe nga sulmuesi Victor Osimhen, që vijon të jetë i prekur nga koronavirusi, por që për më tepër, nuk ka kaluar ende dëmtimin në shpatull dhe sipas të gjitha gjasave, do të kthehet në fushë vetëm në fund të muajit.

Ndërkohë ndaj Fiorentinës pritet të rikthehet në pankinë belgu Dries Mertens, që mungon prej disa javësh dhe që ndaj vjollcëve mund të luajë disa minuta, për të gjetur formën në mënyrë graduale.