SPORT

Ibrahimoviç vijon të shkruajë historinë, sfidon Ronaldon dhe heq dorë nga gjuajtja e penalltive

Ibrahimoviç vijon të shkruajë historinë, sfidon Ronaldon

Zlatan Ibrahimoviç shënoi një gol në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Veronës dhe përveçse ndihmoi Milanin të shmangë humbjen, u bë i pari futbollist i kuqezinjve që shënon në 7 ndeshje radhazi në Serinë A.

Megjithatë në përfundim të ndeshjes gjiganti suedez nuk ishte aspak i lumtur dhe nuk e fshehu zhgënjimin si për mos arritjen e fitores, ashtu edhe për humbjen e një penalltie në pjesën e dytë të ndeshjes.

Barazimi ndaj Veronës – Jam i acaruar sot, pasi nuk arritëm të marrim fitoren dhe për më tepër humba edhe një penallti. Na vjen shumë keq, pasi kishim shumë raste shënimi, megjithatë e rëndësishme ishte që të mos humbnim dhe të mos humbim besimin.

Provokimi i Silvestrit para penalltisë – Ai kishte të drejtë, pasi edhe penalltinë para kësaj sonte e kisha humbur.

Kalendari i ngarkuar – Është e vërtetë që kur luan kaq shpesh, të ndjesh lodhje dhe ndodh që të mos jesh në 100%. Megjithatë tani erdhi ndërprerja dhe do të kem mundësi të çlodhem. Europa League më kujton periudhën te Manchesteri, pasi është e vështirë të luash të enjten, por jam profesionist dhe sa herë që mundem, dua të jem në fushë. Kur u dëmtova, mund edhe të mos ia dilja të rikthehesha, por tani po luaj dhe jam shndërruar në një fëmijë… Dua të luaj sa më shumë.

Fotoja me fanellën e Kombëtares – Ishte për t’i irrituar ata të Suedisë…(qesh)

Titulli – Para se të flitet për titull, është e rëndësishme që skuadra të ketë gjithmonë objektiva. Nuk mund të futesh në fushë vetëm për të luajtur, por duhet të kesh gjithmonë një objektiv. Ky është parimi im në karrierë.

Niveli i mbrojtjes italiane – Kampionati italian është më i vështirë nga të gjithë ku kam luajtur, por Ibra është edhe më i fortë tani.

Krahasimi me Ronaldon dhe “Topat e Artë” – Të fitosh është gjithmonë mirë, por mua nuk më duhet një trofe për të kuptuar se jam më i forti.

Rinovimi i kontratës – Pas penalltisë që humba sot, drejtuesit janë hidhëruar pak me mua, ndaj herën tjetër do lë Kessie të gjuajë, për të qenë në një situatë më të mirë…