SPORT

Ilir Daja: Kualifikimi 50 me 50, Hasani gati pas pauzës

Ilir Daja: Kualifikimi 50 me 50, Hasani gati pas pauzës

Ilir Daja pret që Partizani të shfaqë të gjithë potencialin e tij në sfidën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ndaj Laçit. Trajneri i të kuqve në prononcimin para sfidës deklaroi se mungesa e vetme do të jeta Ferhan Hasani.

“Është një ndeshje, ku kualifikimi varion 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani, në kampionat. Luajmë jashtë, por është pa tifozë dhe gjithçka e barabartë. Ne do të luftojmë me gjithë potencialin që kemi për t’u kualifikuar. Nesër e kemi të gjithë kontingjentin, përveç Ferhan Hasanit. Në kampionat mund të bësh ndonjë hap fals, kurse në Kupë, sidomos me ndeshje teke, jo. Do ta mendojmë këtë 90-minutësh si një duel, ku duhet të japim gjithçka. Shkojmë me maksimumin e mundësive, pasi edhe rrugëtimi në kampionat është akoma i gjatë. Janë shumë pikë dhe javë përpara. Objektiv kemi edhe kupën. Nesër do të jemi të përqendruar në maksimum te ndeshja.

Entuziazmi pas derbit: Çdo ndeshje ka historinë e vet. Mendoj se me fitoren në derbi kemi bërë një kthesë mjaft të mirë në aspektin psikologjik. Triumfi në derbi, veç tri pikëve të jep edhe një bonus psikologjik. Kishim një ngërç në rezultate, por e përsëris, nuk kishim probleme me lojën dhe është ajo, që të jep në fund fare garancinë. Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por nesër duhet të shfaqim vlerat tona maksimale.

S’ka vend për eufori: “Nuk ka vend për këtë gjë. Kampionati është shumë i ngjeshur, ndaj nuk ke komoditetin për të festuar e kaluar në eufori. Sa mbaron një ndeshje, vjen tjetra. Ndoshta nuk ke kohë as të mendosh e të mërzitesh, pasi ke ndeshjen tjetër pranë.

Rinovimet: “Nesër vjen drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Do të ulemi direkt të flasim për këtë gjë. Nuk mund ta riformatojmë një ekip nga fillimi, duke ditur objektivat që ka Partizani. Pra, do të ruajmë një përqindje të madhe të ekipit aktual dhe do të mundohemi ta plotësojmë aty ku kemi pasur probleme.

Gjendja e Ferhan Hasanit: “Do të jetë gati të na shërbejë pas pauzës së ndeshjeve të kombëtares”.