SPORT

Inter e rinis me fitore, Martinez dhe Lukaku ndëshkojnë Sampdorian

Inter e rinis me fitore, Martinez dhe Lukaku ndëshkojnë Sampdorian
Pas 115 ditësh mungesë për shkak të pandemisë së Covid-19, Interi iu rikthye fitores në kampionat, ku përballë kishte Samdorian, të cilën e mposhti 2-1 në “San Siro”. Pauza e tejzgjatur duket se i ka dhënë kohën e mjaftueshme Contes për përmirësimin e lojës, sidomos në ingranimin e Eriksenit, i cili nuk dukej më si “mish i huaj” në organikën zikaltër.

Ishte pikërisht danezi ai që shkëlqeu që në minutën e parë, duke e dërguar topin në rrjetë, por goli i tij u anullua nga arbitri për shkak të një pozicioni jashtë loje të Candrevas. Nuk vonoi shumë dhe zikaltrit zhbllokuan sfidën me një gol spektakolar në minutën e 10-të, pas një superaksioni të treshes Lutaro-Eriksen-Lukaku, me belgun që finalizoi saktë, duke e çuar topin pas shpinës së portierit Audero. E kuptueshme edhe mënyra e festimit të 27-vjeçarit me një veprim kundër racizmit.

Sampdoria thuajse nuk ekzistonte në fushë gjatë pjesës së parë, me Interin që dominoi në çdo aspekt. Pas një tentative të Candrevas, që përfundoi jashtë, Lukaku u bë sërish protagonist, këtë herë në bashkëpunimin me Candrevan, i cili shërbeu Lautaro Martinezin për golin e dytë në minutën e 33-të.

Pjesa e dytë nisi me Interin sërish në sulm, ku inicativën e mori Eriksen, që depërtoi në zonën e kundërshtarit duke gjunjëzuar Auderon, asistoi më pas Lukakun, i cili çuditërisht gaboi me portën thuajse bosh (49’).

Një minutë më pas Eriksen, fitoi në limit duelin me Throsby, gjuajti me të majtën, por topi këtë herë përfundoi drejt e në duart e Auderos. Në minutën e 52’ Sampdoria fitoi goditjen e parë nga këndi. Pikërisht nga këtu lindi dhe goli i ekipit të Ranierit me Colley-n që goditi me kokë traversën, por sfera u kthye në këmbën e Throsby-t, që ngushtoi diferencën në 2-1. Në 87’ Sampdoria provoi të barazonte me anë të një goditjeje dënimi, por gjuatja e Leris e gjeti të përgatitur Handanoviçin, që grushton saktësisht topin.

Në minutat e fundit Interi pati mundësi të shënonte golin e tretë nëpërmjet kundërsulmeve, por ziklatrit nuk e patën kthjelltësinë e duhur në përmbylljen e aksioneve. Pëfundimisht 2-1 për Interin, që me këtë sukses u jep një mesazh Juventusit dhe Lazios, se do të jetë aty, deri në fund, në garën për titullin e Serisë A.