SPORT

Interi zyrtarizon blerjen e Hakimit, zbulohen detajet e marrëveshjes

Interi zyrtarizon blerjen e Hakimit, zbulohen detajet e marrëveshjes
Ndonëse gjithçka ishte mbyllur që të martën e 30 qershorit, Achraf Hakimi u bë zyrtarisht futbollist i Interit pasditen e sotme, pasi vetë klubi zikaltër publikoi detajet e marrëveshjes në faqen zyrtare.

Mbrojtësi maroken kaloi me sukses vizitat mjekësore dy ditë më parë dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare me Interin, nga e cila do të përfitojë një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ndërsa tani është nisur me pushime, për t’iu bashkuar skuadrës së Contes pas datës 20 korrik.

Për kartonin e anësorit 21-vjeçar, zikaltrit paguan 40 milionë euro në arkat e Realit të Madridit dhe do të shtojnë edhe 5 të tjera në formë bonusi, pasi Hakimi ishte në krye të listës së dëshirave të Antonio Contes.

Mbrojtësi ka qenë në huazim te Borussia e Dortmundit dy sezonet e fundit, ku ka dhuruar paraqitje vërtetë spektakolare, duke shënuar shumë gola dhe asistuar shumë të tjerë, por që nuk mjaftuan për të bindur Zidane për një fanellë titullari te Reali i Madridit.

Nga kjo situatë përfitoi Interi, që arriti akordin me klubin madrilen dhe transferoi në Milano një nga anësorët më të shpejtë në qarkullim, që për më tepër është vetëm 21 vjeç dhe e pret një e ardhme e ndritur.