SPORT

Intervista e fundit e Diego Maradonës ishte ngushëlluese: Rrëfeu lumturinë e tij më të madhe, pengun dhe dëshirën që kishte

Intervista e fundit e Diego Maradonës ishte ngushëlluese: Rrëfeu

Dashamirës ose jo të futbollit, sot u tronditën nga vdekja e legjendës Diego Maradona, i cili ndërroi jetë nga një atak kardiak në moshën 60-vjeçare. Maradona nuk u shmang kurrë nga të folurit për demonët me të cilët ai luftoi gjatë gjithë jetës së tij plot ngjyra.

Ndërsa ishte hyjnizuar gjatë gjithë karrierës së tij, ai gjithashtu tregoi dobësi dhe kurrë më shumë sesa në intervistën e tij të fundit me median argjentinase ‘Clarin’, e cila rezultoi të ishte e fundit.

Intervista e fundit e Diego Maradonës ishte ngushëlluese: Rrëfeu

Intervista është bërë në kohën gjatë pandemisë në Argjentinë, pak ditë para përvjetorit të tij në 30 tetor, ku ka deklaruar se nëse nuk do të kishte përdorur lëndë narkotike do të kishte vazhduar të luante edhe më shumë

“Ndonjëherë mendoj nëse njerëzit do të vazhdojnë të më duan. Do t’u jem përjetësisht mirënjohës. Çdo ditë më befasojnë, ajo që kam përjetuar në këtë rikthim në futbollin argjentinas nuk do ta harroj kurrë. Është përtej imagjinatës. Sepse isha jashtë loje për një kohë të gjatë dhe ndonjëherë dikush pyet veten nëse njerëzit do të më duan akoma, nëse do të vazhdojnë të ndihen njësoj. Kur hyra në fushë në Gimnasia ditën e prezantimit, e ndjeva se dashuria nga njerëzit nuk do të përfundonte kurrë. Unë jam në fund dhe jam shumë i lumtur. Futbolli më dha gjithçka që kam, më shumë nga se imagjinoja. Dhe nëse nuk do të krijoja varësi nga drogërat, mund të kisha luajtur edhe më tepër. Por tani kjo i takon të kaluarës, jam mirë dhe ajo për të cilën jam më shumë pishman është që nuk kam prindërit. Gjithmonë e shpreh këtë dëshirë, një ditë më shumë me Tota-n, por e di që nga parajsa ajo është krenare për mua dhe se ishte shumë e lumtur. Tani unë kam një dëshirë, dhe ajo është që kjo pandemi të kalojë sa më shpejtë dhe Argjentina ime të shkojë përpara. Unë dua që të gjithë argjentinasit të jenë mirë, ne kemi një vend të bukur. Trishtohem kur shoh fëmijë që nuk kanë për të ngrënë, e di çfarë do të thotë të jesh i uritur, e di çfarë do të thotë të mos kesh për të ngrënë për disa ditë dhe kjo s’mund t’i ndodhë vendit tim. Kjo është dëshira ime, ta shoh Argjentinën të lumtur, duke punuar dhe duke ngrënë çdo ditë”, ishin fjalët e fundit në intervistë të Maradonës.

Argjentina ka shpallur tre ditë zie për Diego Armando Maradonën. Nga ana tjetër, UEFA ka caktuar një minuta heshtje në nder të Maradonës përpara fillimit të çdo ndeshjeje si dhe lojtarët do të mbajnë nga një shirit të zi në krah. Kjo filloi që nga ndeshjet e sotme në Ligën e Kampioneve.

*Ndalohet ribotimi i artikullit pa burimin Tiranapost.al