SPORT

Ish-trajneri atletik i Juventusit dhe Chelsea-t, lektor në kursin e FSHF-së

Ish-trajneri atletik i Juventusit dhe Chelsea-t, lektor në kursin e

Kursi i përgatitësve atletikë të FSHF-së do të rikthehet së shpejti pas suksesit që pati dhjetorin e vitit të kaluar. Ky kurs ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjithë të interesuarit që duan të kualifikohen profesionalisht dhe të bëjnë karrierë si përgatitës atletik.
Ashtu si herën e kaluar, kursi drejtohet nga përgatitësit atletikë të kombëtares, Luigi Febbrari dhe Luca Laurenti, por edhe ekspertë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Sa i përket nivelit të mësimdhënies, këtë herë do të ketë emra të njohur të futbollit ndërkombëtar, të cilët do të ofrojnë dijet dhe eksperiencën e tyre për pjesëmarrësit duke bërë leksionet përmes platformave online.

Një nga emrat e konfirmuar si lektor i këtij kursi është Roberto Sassi, një figurë e njohur në botën e futbollit italiane me mbi 30 vite eksperiencë si trajner i përgatitjes atletike, por edhe si një studiues i mirëfilltë dhe autor i shumë literaturave.

I diplomuar në “Institutin Superior të Edukimit Fizik” në Milano, Sassi ka qenë trajner volejbolli, hendbolli dhe futbolli.

Në CV-në e tij numërohen eksperienca me peshë si përgatitës atletik në skuadrat më prestigjioze si Lazio, Torino, Valencia, Atletico Madrid, Sampdoria, por dy eksperiencat më afatgjata kanë qenë me klubin e Chelsea-t në Angli dhe së fundmi me Juventusin. Në të dyja këto raste ai ka qenë përgjegjësi i përgatitjes atletike dhe ka një bagazh të madh si profesionist i fushës.

Autor i librave dhe studimeve të ndryshme mbi përgatitjen atletike në futboll, Sassi ka dhënë leksione për trajnerët dhe përgatitësit atletikë në kurset e organizuara nga shkolla e “Qendrës Teknike dhe Federle të Coverciano-s”.

Përpos kësaj ka mbajtur leksione edhe në Kongresin për azhornimin e trajnerëve të UEFA-së. Me pak fjalë, Sassi është një personalitet i shquar në Europë dhe prania e tij mes lektorëve që do të marrin pjesë në kursin e përgatitësve atletikë të FSHF është një vlerë e shtuar dhe një kontribut i vyer për rritjen e ekspertizës teknike në futbollin shqiptar.

Kursi, që do të nisë më datë 27 prill 2021 dhe do të zgjasë një muaj, do të zhvillohet në ambientet e FSHF-së.