SPORT

Italia likujdon Turqinë në ndeshjen hapëse të EURO 2020

Italia likujdon Turqinë në ndeshjen hapëse të EURO 2020

Italia ka superuar Turqinë në të gjitha repartet e fushës që prej fillimit të ndeshjes, por mbrojtja kompakte e turqve përgjatë pjesës së parë dhe toleranca e arbitrit holandez që nuk akordoi 11-metërsh për një prekje flagrante të topit me dorë bëri që pjesa e parë të mbyllej me rrjeta të paprekura.

Por, fraksioni i dytë i ndeshjes ka gjetur një Itali më ritmike dhe kërkuese të golit që është arritur me një depërtim të Berardit në zonë dhe një devijim të mbrojtësit turk Demiral në minutën e 53. Pas golit, italianët kanë marrë krahë në “Olimpico” dhe kanë ndëshkuar sërish turqit me një gol të Immobiles që gjeti hapësirën pas një gjuajte të Berard që u devijua nga mbrojtja.

Ka qenë Insigne në minutën e ’79 që ka vulosur rezultatin final 3-0 pas një largimi të gabuar të topit nga portieri turk Cakir që i dha mundësinë Berardit të ndërtonte një sulm model në zonën turke.

Ndeshja është karakterizuar nga ritmi i shpejtë dhe spektakli. Fillim i mbarë për këtë edicion të EURO 2020 që vjen pas një viti pandemik dhe premton rikthimin në normalitet për sportdashësit.

Tiranapost.al